Pensionistët pavarësisht motit me shi janë duke mbajtur radhën e tyre për të tërhequr abonetë e transportit urban. Ata kanë dalë sot në kryeqytet në pikat e ndarjes së abonesë dhe do të vazhdojnë të mbajnë radhë deri në ditët e para të muajit shkurt.
Pensionistët janë shprehur për “Gazetasi.al” se ata janë të pakënaqur me mënyrën e ndarjes së aboneve, duke u shprehur se duhej të shtohën më shumë pika në kryeqytet.
“Jemi të kënaqur me vendimin e qeverisë për abone falas në transportin urban brenda qytetit, por duhet të kishin menduar dhe për të shtuar pikat e tërheqjes së aboneve, pranë zonave tona të banimit. Unë banoj në Shkozë dhe detyrohem të vij me urban deri tek pika e Brrylit, pasi aty ma ka dërguar njësia administrative emrin mua dhe bashkëshortes sime”, thotë një 78-vjeçar.
Ndërsa disa të tjerë janë shprehur se do të ishtë më mirë nëse do të ndaheshin kartona që t’i lejojnë ata të udhëtojnë falas, shërbim ky që jepet për personat me aftësi të kufizuar. Pasi, siç shprehen ata e kanë të vështirë të qëndrojnë në radhë.
“Mirë do kishte qenë që ne ta rinovonim kartonin 1 herë në vit siç bëhet me personat invalid. Ne nuk kemi moshë të qëndrojmë në radhë çdo muaj. Si në dimër dhe në verë, për ne është një situatë që na dëmton shëndetin. Jemi të sëmurë, me grip e viroza në qarkullim dhe këto qëndrime në radhë vetëm sa na shtojnë problemet që mbartim nga mosha”, thotë një pensionist që sot mbante radhën tek pika e shpërndarjes së aboneve në zonën e ’21 Dhjetorit’.
Në kryeqytet janë vendosur 6 kioska nga Bashkia e Tiranës për të ndarë abonetë për pensionistët. Por, në kryeqytet janë 200 mijë pensionistë që përfitojnë nga vendimi për të përfituar abone falas për transportin urban brenda qytetit.