6 Korrik-6 Janar! Nga sot Arben Ahmetajt i ka skaduar çdo afat ligjor për të gëzuar mandatin e deputetit, që i dhanë zgjedhësit socialist në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Pas 6 muajve mungesë në sallën e Parlamentit, e cila përkon edhe me periudhën në të cilën ai ndodhet në arrati nga drejtësia, e cila e kërkon për aferën e inceneratorëve, Ahmetajt ligjërisht nuk është më deputetë, edhe pse procedura e do që për këtë të shprehen Kuvendi dhe KQZ.
Pas përfundimit të pushimeve dhe nisjes së sesionit të ri parlamentar në datën 15 Janar, Kuvendi do të duhet që të nisë procedurat për zëvendësimin e Ahmetajt, duke vënë në dijeni për këtë KQZ, Nga lista shumëemërore e socialistëve në qarkun e Tiranë, e radhës për të marrë mandatin është Dallëndyshe Bici, aktualisht në krye të Agjensisë së Kadastrës.
Sipas burimeve nga kampi rozë, Bici me gjasë do ta refuzojë mandatin e deputetes, dhe në Kuvend në vendin e saj pritet që të hyjë Plarent Ndreca, i cili ka marrë më shumë vota preferenciale.
Karriera politike dhe postet drejtuese në administratë për Arben Ahmetajn kanë nisur që në vitin 1997, kur ai u emërua në postin e drejtorit të Tatimeve. Më pas ai do të shërbente për herë të parë si deputet në zgjedhjet parlamentare në vitit 2009, ku u zgjodh deputet në qarkun e Tiranës. Mandej në vitin 2013 ai do të zgjidhej deputet duke përfaqësuar qarkun e Gjirokastrës dhe më pas sërish Tiranës.
Pas 8 viteve në opozitë, ai u emërua ministër për Sipërmarrjen në vitin 2013 ndërsa në shkurt të 2016 ai zuri vendin e Shkëlqim Canit në krye të ministrisë së Financave. Përpara se të plaste skandali i inceneratorëve, ai mbante dy funksione në qeveri, atë të zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Shtetit për Rindërtimin.