“AKSHI është institucion krenarie për ne”, Rama: Kemi kursyer 620 miliardë lekë, për shqiptarët!

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj një prej pyetjeve më ngacmuese të konferencës me gazetarët, në kuadër të situatës politike të krijuar pas dy dosjeve voluminoze dhe të bujshme të SPAK, “Balluku” dhe “AKSHI”, si dhe presionit politik të opozitës që me protesta kërkon qeveri teknike, dorëheqje dhe zgjedhje të reja.

Ai e rrëzoi idenë e një qeverie teknike apo zgjedhjeve, duke kujtuar se kanë fituar 83 mandate në zgjedhjet e 11 majit.

Ndërsa pyeti se përse duhet ta jepte dorëheqjen, kryeministri shtoi se nuk mund ta bëjë këtë akt për AKSHI-n, sepse ai institucion është histori suksesi.

“Nëse po ndodh sot ky proces, është meritë në radhë të parë e kësaj force politike. Keni parë reagimet e të tjerëve kur u preket floku, se çfarë thonë. Keni dëgjuar nga unë ndonjëherë, jo sharje, por fjali që shkojnë drejt goditjes së reputacionit, presionit apo kërcënimit të këtyre organeve. Ky është një proces i domosdoshëm që ka problematikat e veta. Ne morëm 83 mandate në qershor, për çfarë i morëm, dorëheqje për AKSHI-n? AKSHI është institucion krenarie, jo për të ulur kokën, por për të qenë krenar”, tha kreu i mazhorancës.

Më tej ai shtoi edhe arritjet e këtij institucioni, duke nënvizuar se u ka kursyer shqiptarëve 620 milionë euro dhe 760 mijë vite pritje, sa për 25 mijë rrotullime rreth Tokës.

“Dikur mbahej radha për jë dokument, radhë e gjatë për një certifikatë, ata që rrinin jashtë duhet të vinin këtu për ta marrë, 620 miliardë lekë ka kursyer AKSHI, mbi 760 mijë vite pritje në radhë. Janë 25 mijë rrotullime rreth Tokës”, u shpreh ai.

Kurse në lidhje me situatën politike dhe nivelin e korrupsionit, Rama vijoi të ngrinte pyetje retorike të cilave iu përgjigj me nëntekst, se ky ishte viti më i suksesshëm për Shqipërinë, pasi hapi të gjithë grupkapitujt për negociatat me BE dhe priti liderët e të gjithë botës në Samitin e Tiranës në 16 maj.

“Ky është viti më i suksesshëm i Shqipërisë. Dhe kjo fal forcës qeverisëse, fal forcës tonë. Shqipëria hapi të gjithë kapitujt për negociatat me BE. Shqipëria priti një samit ku priti të gjithë liderët e botës dhe BE-së. Erdhën në një vend të korruptuar ata? Si mendoni ju? Erdhën në një vend të tenxhereve mediatike dhe politike? Jo, kurrë, asnjëherë”, tha ai.

Lajme të tjera |  Video/ Para me thasë nga Posta Shqiptare në Durrës, momenti kur ish-shefja e financës ‘zbraz’ arkën dhe largohet!

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us