Anulimi i tenderit për portin e Porto Romanos, Rama: Kompania u tërhoq në momentin e fundit, kishte presione kundër projektit

Kryeministri Edi Rama deklaroi se kompania që kishte kaluar të gjitha fazat e procedurës për projektin e portit të ri u tërhoq në momentin e fundit nga ofertimi final, duke iu referuar situatës së krizës.

Në një konferencë live për mediat, Rama tha se kompania kishte përmbushur të gjitha afatet dhe pritej të dorëzonte ofertën financiare, por në fund vendosi të tërhiqej.

“Ka ndodhur një koincidencë e pashmangshme. Në momentin e fundit kompania që kishte kaluar të gjitha fazat dhe duhet të bënte ofertimin final është tërhequr duke iu referuar situatës së krizës”, u shpreh kryeministri.

Sipas tij, oferta financiare do të ishte e lidhur me tavanin e vendosur nga studimi i një kompanie ndërkombëtare të specializuar në ndërtimin e porteve dhe aeroporteve, si dhe me kushtet e përcaktuara në procedurën e hapur të organizuar nga qeveria shqiptare.

Rama theksoi se nuk ka të dhëna që kompania të jetë përballur me presion nga institucione ndërkombëtare.

“Nuk kemi arsye të shikojmë pas për ndonjë gjë tjetër. Nuk kemi të dhëna që kompania të jetë ndodhur nën presion nga SHBA, nga BE apo nga askush tjetër”, tha ai.

Megjithatë, kryeministri pranoi se gjatë procesit ka pasur presione të vazhdueshme nga faktorë të tjerë që, sipas tij, nuk janë të interesuar që projekti i portit të ri të jetë një histori suksesi.

Ka ndodhur një koincidencë e pashmangshme. Në momentin e fundit kompania që ka kaluar të gjitha fazat dhe duhet të bënte ofertimin e fundit është tërhequr duke iu referuar situatës së krizës dhe natyrisht që, meqenëse oferta financiare do të ishte e lidhur me tavanin që ka vendosur studimi nga, kompania më e madhe e botës për ndërtimin e porteve dhe aeroporteve, dhe me tavanin e vendosur nga kërkesa për procedurën e hapur të organizuar nga qeveria shqiptare, nuk kemi arsye që të shikojmë mbrapa ndonjë gjë tjetër.

Nuk kemi të dhëna që kompania është ndodhur nën ndonjë presion. I gjithë procesi është zhvilluar në presion, por jo nga SHBA, siç thuhet. As nga BE, as nga askush, por ka pasur presion të vazhdueshëm nga faktorë të tjerë, natyrisht të painteresuar që ai port të jetë histori suksesi.

Kini parasysh që kur disa thonë për çfarë duhet një port i ri, se ne kemi portin, atë kënetën në zemër të Durrësit, dhe e lidhnin idenë e portit të ri me shitjen e atdheut në duart e arabëve, në fakt e vërteta është që përtej injorancës, që është gjithmonë faktor në mënyrën si trajtohen çështjet, qysh në krye të herës ka pasur pse. Për një arsye: kushdo që do ta kuptojë, e kupton pa ndonjë mundim që porti ekzistues nuk ka asnjë kapacitet për të qenë nyja logjistike e Korridorit të 8.

Është në të gjitha aspektet, edhe sikur ta marrësh dhe ta zbukurosh, i papërshtatshëm për të qenë nyje logjistike e Korridorit të 8. Këtë nuk e them unë, por të gjitha analizat e bëra dhe proceset e ndjekura dhe realiteti i thjeshtë është që ai port është në mes të qytetit. Një nyje portuale në mes të qytetit nuk mund të ekzistojë.

E dyta, porti i ri si nyje lidhëse e Korridorit 8 është një port që e çon Shqipërinë në një nivel tjetër, por jo vetëm Shqipërinë, por shqiptarët, sepse është një nyje e lidhur edhe me një tjetër nyje strategjike, portin e thatë të Prishtinës dhe me portin e thatë të Shkupit.

Porti i thatë i Shkupit planifikohej në Strugë, qeveria e re e ka parë të arsyeshme ta spostojë në Shkup. Kjo nënkupton se këtu kemi të bëjmë me interesa të rëndësishme kombëtare strategjike.

Nëse mendoni se të gjithë mezi po presin që të shqiptarët të bëhen më të fortë, mund ta mendoni, por ju siguroj që jo në një, por në një sërë vendesh ka forca që nuk e mirëpresin këtë. Dhe kjo nuk ka lidhje me armiqësira të natyrës gjeopolitike, por ka lidhje edhe me interesa tregtare të vendeve.

Nëse mendoni se porti i ri është një port që ata të cilët i kanë të lidhura interesat me rrugët e trafikut mes tyre po e presin, e keni gabim, pasi nuk kanë asnjë arsye ta mirëpresin.

Lajme të tjera |  "Tani jam në pension” - Ish-deputeti demokrat tregon si e flakën nga PD: U përplasa ashpër me Flamur Nokën

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us