Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka komentuar zgjatjen e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, si “një paraqitje e shkurtër shprese dhe njerëzimi”.
Në një deklaratë për mediat, Guterres paralajmëroi se edhe pas kësaj marrëveshje, koha nuk është e mjaftueshme për të përmbushur nevojat për ndihma humanitare në Rripin e Gazës.
“Shpresoj fuqimisht se kjo do të na mundësojë të rrisim edhe më shumë ndihmën humanitare për njerëzit në Gaza që po vuajnë aq shumë, duke e ditur se edhe me atë kohë shtesë, do të jetë e pamundur të plotësohen të gjitha nevojat dramatike të popullsia”, u tha Guterres gazetarëve.
Kombet e Bashkuara kanë dërguar disa ndihma humanitare në Gaza përmes pikës kufitare Rafah nga Egjipti, si dhe kanë kërkuar të jenë në gjendje të përdorin pikën kufitare Kerem Shalom, të kontrolluar nga Izraeli, shkruan Reuters.
“Unë sinqerisht shpresoj se do të jetë e mundur të ketë kalime të tjera, sepse ato do të lehtësojnë shpërndarjen dhe gjithashtu do të lehtësojnë kontrollin nga pala izraelite. Kështu që unë kam shumë shpresë që kjo të ndodhë,” tha Guterres.
Më herët të hënën, zëdhënësi i Guterres, Stephane Dujarric tha se negociatat duhet të vazhdojnë me synimin për ta kthyer armëpushimin e përkohshëm në Gaza në një armëpushim të plotë humanitar.
“Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin këto përpjekje në çdo mënyrë të mundshme,” tha Dujarric në një deklaratë.
Guterres përsëri bëri thirrje që pengjet e mbajtura nga Hamasi të lirohen menjëherë dhe pa kushte, tha Dujarric.
Kombet e Bashkuara kanë rritur shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gaza gjatë katër ditëve të fundit gjatë armëpushimit dhe dërguan ndihma në disa zona veriore që ishin ndërprerë kryesisht për javë të tëra, tha Dujarric.
“Por kjo ndihmë mezi regjistrohet kundrejt nevojave të mëdha të 1.7 milionë njerëzve të zhvendosur. Katastrofa humanitare në Gaza po përkeqësohet nga dita në ditë,” tha ai.