Policia e Bosnjës arrestoi të premten shtatë ish-anëtarë të ushtrisë serbe të Bosnjës të kohës së luftës, të dyshuar për pjesëmarrje në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, ku u vranë rreth 8,000 myslimanëve boshnjakë, ngjarje e përshkruar si gjenocid nga dy gjykata ndërkombëtare. Të dyshuarit u arrestuan pranë qytetit lindor të Zvornikut me dyshimin se kanë kryer një akt kriminal të gjenocidit në formën e përgjegjësisë dhe ndihmës individuale dhe komanduese, tha Agjencia Shtetërore e Informacionit dhe Mbrojtjes (SIPA).
Forcat serbe të Bosnjës të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiç në korrik 1995 pushtuan qytetin lindor të Srebrenicës, i cili u shpall nga Kombet e Bashkuara një “vend i sigurt” për rreth 40,000 civilë të zonës dhe vranë në ditët në vijim rreth 8,000 burra dhe djem myslimanë, të cilët së pari u ndanë nga gratë.
Zyra e prokurorit tha se të dyshuarit ishin ish-komandantë dhe anëtarë të brigadës Zvornik të ushtrisë serbe të Bosnjës, të cilët besohet se janë përfshirë në të shtënat dhe vrasjen e rreth 800 viktimave myslimane. Shumica e mbetjeve të viktimave janë zbuluar nga varre të shumta masive të shpërndara në të gjithë Bosnjën lindore, por shumë të vrarë janë ende të pagjetur.
Gjykata ndërkombëtare për krimet e luftës me bazë në Hagë për ish-Jugosllavinë e dënoi Mlladiçin me burgim të përjetshëm në vitin 2017 për gjenocidin e Srebrenicës, në ngjarjen e përshkruar si mizoria më e keqe e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.
Udhëheqja politike serbe e Bosnjës mohon se krimi ishte gjenocid dhe minimizon krimet serbe në luftën e Bosnjës 1992-1995. Të premten, veteranët serbë të luftës nga Zvorniku kërcënuan se do të nisin protesta dhe do të bllokonin rrugët për shkak të arrestimeve, duke thënë se ushtria serbe kishte mbrojtur serbët dhe se kishte luftuar për liri gjatë luftës.
Rreth 100,000 njerëz u vranë dhe rreth dy milionë njerëz u shpërngulën nga shtëpitë e tyre gjatë fushatave të spastrimit etnik në Bosnje, sipas studiuesve të krimeve të luftës që botuan “Librin boshnjak të të vdekurve” dhe agjencia e OKB-së për refugjatët. SIPA tha se të dyshuarit do t’i dorëzohen prokurorisë.