Ish-kandidati i PD-së nga listat e hapura për zgjedhjet e 11 majit në qarkun e Durrësit, njëkohësisht ndër më të votuarit, Aulon Kalaja, ka rrëfyer detajet e takimit të djeshëm të thirrur nga ish- deputeti demokrat Ervin Salianji.
Ai shpjegoi arsyet e këtij takimi, diskutimet e mbajtura aty, qëllimin e kësaj mbledhje dhe çfarë u kërkua. Kalaja shpjegoi se qëllim nuk ishte krijimi i ndonjë fraksioni apo lëvizjeje partiake, por kërkimi i një riorganizimi dhe riformimi të partisë, me qëllim forcimin e strukturave të saj, reformimin me qëllim fitoren dhe kthimin në qeverisje.
Ai shpjegoi se kishte kundërshtuar Kodin Zgjedhor aktual ku bëhen pazare partish, duke kërkuar që të diskutohet fillimisht me zgjedhësit dhe kandidatët dhe pastaj të bëhet ky Kod.
Ai tha se diskutimet në takim zgjatën 3 orë dhe gjithashtu u kërkua mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD për të diskutuar problematikat konkrete.
“Kam shprehur kundërshtitë e mia për Kodin Zgjedhor, sepse mendoj se nuk ka nevojë që PD ta bëjë marrëveshjen me PS-në direkt, por të diskutohet me bazën, me partinë. Kandidatët të pyeten për problemet që kanë. Takimi zgjati 3 orë dhe u diskutua nga të gjithë për problemet e gjithsecilit në qarqet përkatëse. Më e rëndësishmja është mbledhja e këshillit Kombëtar, nuk është mbledhur për kohë të gjatë”, vijoi gazetari.
Kalaja theksoi se qëllimi është vetëm forcimi i PD-së dhe rikthimi i saj në fitore.
Ai refuzoi të bëhej pjesë e pazareve, sepse nënvizoi se ka prioritet parimet, por solli në vëmendje se nuk ishte normale që një bashki si Kruja, me 100 mijë banorë, të mos kishte asnjë deputet përfaqësues në Parlament, kur legjislaturën e kaluar kishte 4 të tillë.
“Ne e bëjmë këtë proces dhe diskutim apo analizë që PD nesër të fitojë dhe të jetë forcë qeverisëse dhe kjo nis që nga diskutimet në Këshillin Kombëtar ku analizohet çështja e deputetëve më të votuar, përfaqësimit të tyre real, sepse në listat e sigurta ka deputetë që nuk kanë marrë vota, apo kanë marrë më pak nga të tjerët. Mendimet duhet të merren nga baza dhe kandidatët, këtë moment e ndava edhe dje në takim. Kruja ka 100 mijë banor si bashki, por nuk ka asnjë deputet, legjislaturën e kaluar pati 4 deputetë, dy nga PS dhe dy nga PD, tani nuk ka asnjë. Nuk është e drejtë. Unë nuk jam për pazar, por për parime. Nëse bëhet për pazare, atëherë unë nuk marr më pjesë”, përfundoi Kalaja.





