Gazetarja nga Maqedonia e Veriut, Emine Ismaili ka zbuluar detaje nga krimi i rëndë që ka ndodhur në Shkup, ku u rrëmbye dhe më pas u vra 14-vjeçarja Vanja Gjorgjevski. Ismaili ka thënë për Report Tv se është kryer autopsia për adoleshenten dhe trupi i saj pa jetë i është dhënë të ëmës.
Në këtë krim të rëndë dhe në vrasjen e 74-vjeçarit nga Velesi dyshohet se janë përfshirë së paku 5 persona. Autopsia pritet që të përcaktojë edhe kohën dhe vendin e vrasjes së adoleshentes, e cila u zhduk më 27 nëntor, pasi kishte dalë nga banesa për të shkuar në shkollë. Ajo është gjetur e vrarë dhe e groposur më datë 3 dhjetor.
Tashmë në gjykatë po zhvillohet një proces gjyqësor ndaj Lupço Palevskit – Pallço, Velibor Manevit, Vlatko Keshishevit, Bore Videvskit dhe babait të viktimës, Aleksandar Gjorçevski. Ndaj Lupço Palevskit është firmosur urdhër-arrest ndërkombëtar, ndërsa babai i vajzës është arrestuar. Historia bëhet më tragjike, për shkak të përfshirjes në të, të babait të 14-vjeçares.
Të arrestuarit kanë deklaruar në polici se oraret e lëvizjes së vajzës i kanë marrë nga i ati i saj. Motivi i pengmarrjes dyshohet se ka qenë për të marrë para nga nëna e adoleshentes. Bashkëshortët ishin të divorcuar. Ajo që e bën më të mistershme ngjarjen është se vajza është ekzekutuar, pa kërkuar dhe marrë para. “Aspak nuk u arrit të kërkoheshin paratë. Personat e arrestuar kanë thënë se nga paniku se mos të kapeshin e dënoheshin kanë vrarë vajzën, e cila jetonte me të ëmën. Nuk ka pasur as kohë për të kërkuar ato para, që dyshohen se ishin moviti i rrëmbimit të saj”, tregon gazetarja nga Maqedonia e Veriut, Emine Ismaili.
Gazetarja ka treguar edhe një detaj, për faktin se vajza e donte shumë babanë e saj. “Në një detyrë për ditën e falenderimeve, vajza 14-vjeçare kishte shkruar se ishte mirënjohëse dhe ishte falenderuese për tërë jetën për babain e saj për atë çfarë kishte bërë”, tregon ajo. Babai i vajzës ka mohuar akuzat ndaj tij. Ai nuk ka pranuar se është përfshirë në rastin e vrasjes të së bijës, por ndodhet në paraburgim. Shoqëria civile ka thirrur protestë në Shkup për të dënuar me vdekje personat e përfshirë në rastin makabër.
Vajza e mitur u vra dy orë pasi u rrëmbye nga banesa e saj në datën 27 nëntor dhe prej një jave policia ishte në kërkim të saj, derisa u gjet e varrosur, në afërsi të trupit të 74-vjeçarit nga Velesi. Ky i fundit dyshohet se u vra për 500 euro, ndërsa makina në pronësi të tij u përdor në rrëmbimin e Vanjës.