Karabinierët bastisën mbrëmjen e sotme tre banesat e Vittorio Sgarbit, nëm hetim për “pastrim të pasurive kulturore”. Bastisja u bë me urdhër të prokurorisë për çështjen e pikturës “Kapja e Shën Pjetrit” të piktorit Rutilio Manetti, e shekullit të 16-të.
Piktura rezulton e vjedhur më shumë se një dekadë më parë, nga kështjella e Buriasco në Piemonte, por në vitin 2021 u rishfaq në një ekspozitë në një version të përcaktuar si “të pabotuar” në pronësi të Sgarbit.
Piktura që ka vlerën e qindra mijëra eurove iu sekuestrua Sgarbit, i cili në qeverinë e Melonit ka postin e sekretarit të shtetit për Kulturën.
Karabinierët e Njësisë së Mbrojtjes së Trashëgimisë, me urdhër të kryeprokurorit Giovanni Narbone kanë bastisur tre banesat e kritikut të artit në Marche, Romë dhe një në Ro Ferrarese, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Policia ka sekuestruar edhe pajisje kompjuterike dhe dokumente.
Sgarbi vetë komentoi operacionin e autoriteteve italiane.
“Kam dorëzuar vetë pikturën që të kryhen të gjitha kontrollet e nevojshme. Jam absolutisht i qetë. Sekuestrimi është një veprim i domosdoshëm. Nuk kam asgjë për t’u frikësuar. Unë do të mbroj me të gjitha mënyrat kundër atyre që spekulojnë për këtë çështje dhe atyre që bëhen bashkëfajtorë në të”, deklaroi ai.
Sgarbi pretendon se piktura e tij është versioni origjinal i veprës “Kapjes së Shën Pjetrit”, të cilën ai thotë se e ka gjetur gjatë restaurimit të një vile të braktisur të blerë nga nëna e tij në Viterbo në vitin 2000 dhe se piktura e vjedhur nga kështjella ishte një kopje e keqe prodhuar në shekullin e 19-të.
Sgarbi është një kritik i shquar arti në Itali, i cili njihet në vendin tonë edhe për miqësinë e fortë që ka me kryeministrin Edi Rama.