Kryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi sot në protestën e opozitës se 20 shkurti mbetet një nga ditët më të rëndësishme në historinë e vendit, duke kujtuar rrëzimin e shtatores së Enver Hoxha në vitin 1991.
Berisha tha se 35 vite më parë, mijëra qytetarë të mbledhur në Qytetin Studenti marshuan drejt Sheshit Skënderbej, në një akt që ai e cilësoi si kulmin e guximit qytetar dhe moment çlirimi nga diktatura 46-vjeçare komuniste.
Në fjalën e tij, Berisha shtoi se askush nga protestuesit e asaj kohe nuk do ta kishte menduar që, 35 vite më vonë, sipas tij, pushtetet e vendit do të përqendroheshin sërish “në duart e një njeriu”, Edi Ramës.
“20 shkurti është dita në të cilën, 35 vite më parë, dhjetëra mijëra qytetarët të mbledhur në qytetin Studenti, në mbështetje të grevës së studentëve liberatorëve për të çliruar vendin nga kulti i Satanit, në thirrjen e Rajmonda Bulkut dhe protestuesve të shumtë, nisën drejt sheshit Skënderbeu të rrethuar nga katër anët me autoblinda, mitraloza, snajper, në një betejë që shënon kulmin e guximit të qytetarëve shqiptarë. Në një betejë paqësore që do shndrisë gjithmonë në historinë e revolucioni demokratike që përmbysën shtatoren, kultin e Satanit, Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pasluftës, regjimin që në 46 vite shtetëzoi persekutoi, burgosi, ekzekutoi, mjeroi më shumë shqiptarët se çdo pushtues që kishin njohur në tërë historinë. Nderim përjetë guximtarëve që si luan u vërsulën mbi shtatoren e diktatorit dhe çliruan Shqipërinë nga diktatura 46 vjeçare. 35 vjet më parë, të gjithë ata që ishin në shesh, kurrë nuk do mendonin se 35 vjet më vonë, do ndodheshin para regjimi sigurisht jo të njëjtë, por fatkeqësisht shumë të ngjashëm në shumë aspekte. Nuk mund të besonin se 35 vite më vonë, pushtetet e vendit do ishin në duart e një krimineli të pashembullt pas Enver Hoxhës. Pushtetet e vendit do ishin në duart e një tradhtari që do nxijë historinë kombëtare për aktet e tradhtisë. Njeriut që do plaçkiste Shqipërinë sa askush tjetër në historinë e tij”, tha Berisha.
“35 vite më parë ata burra e gra që kaluan mbi autoblinda, snajperë, mitralozë, për votën e lirë, dinjitetin njerëzor nuk mund të besonin se 35 vite më vonë përsëri do rikthehej farsa zgjedhore e atij që përmbysën”, tha Berisha.
Sipas Berishës, “e vërteta është se ne sot nderojmë këtë datë me ndjenjën e mirënjohjes më të thellë, por edhe me frymëzimin më të madh, me zotimin tonë para shqiptarëve se Edi Rama do t’i ketë kohërat e numëruara”.





