Sali Berisha nga mbledhje e Kuvendit te foltores tha se demokratët tashmë do të kthehen në luanë përballë disa çakenjve “që po qeverisin vendin”.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka shkatërruar demokracinë, pluralizmin dhe se ka rikthyer burgosjet politike të opozitës, ndërsa shtoi se ka patur një propozim për të bashkëqeverisur me këtë maxhorancë, të cilën ai e ka refuzuar dhe më pas është shpallur “non grata”.
“Së bashku ia thyem ëndrrën me bashkëqeverisjes me pseudo pozitë. A kishim kosto ne për këtë? Po!, nga dita që unë refuzova bashkëqeverisjen me Ramën. Kjo më është propozuar nga kryekëshilltarët e Bashës. Pasi nuk pranova unë u ktheva në një non-grata. Sot kam një dhëndër të burgosur politik. Cfarë i mbeti Ramës? Tregoi së sytë e të gjithë botës se kush është ai”, tha Berisha.
Berisha u ndal edhe te Reforma në Drejtësi, e cila sipas tij ka përfunduar në prodhimin e asaj që ai e quan “SKAP”.
“Nuk kemi më gjykata popullore, por kemi SKAP-in dhe gjykatat e partisë, grupet e strukturuara kriminale, brenda të cilave përdoren për t’i dhënë grushte armiqve në opozitë. Interesin kombëtar ia kemi shitur Serbisë dhe Tiranën e kemi shndërruar në një Beograd të dytë. Popullsia është ulur me 35 përqind në 10 vite.
Me braktisjen masive dhe me dominimin e vdekjeve mbi lindjet, për herë të parë kombi ynë është një komb në vdekje, një gjë që as në komunizëm nuk ndodhi. Të gjitha këto dhe shumë të tjera, ashtu si në diktaturën staliniste, sërish ndodhin nën shëmbëllturën e një demoni që ka rrëmbyer të gjitha pushtetet dhe që kërkon të mbajë pushtetin me forcë mandat pas mandati dhe ky demon është Edi Rama.
Sot, ne jemi përsëri në kushtet e një diktature të re, por jo ideologjike me burgje e kampe, por jemi në mobokraci, në narkodiktaturë, në të cilën njëlloj si në diktaturën ideologjike, pushtetet ndodhen në dorën e një njeriu. Ky njeri e ushtron pushtetin jo me ligje, jo me Kushtetutë, por me banda, me krime, me mafien e drogës. Ai kalon nga mandati në mandat sepse paratë e drogës, fuqia e krimit, shndërrohen në vota, kurse vota shndërrohet në krime, në grabitje të pasurive dhe fondeve publike, në vrasje, burgosje të kundërshtarëve, korrupsion transnacional për të shkatërruar opozitën”, tha Berisha.