Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë zhvilluar mbledhjen e radhës me simpatizantët nga dritarja e banesës së tij, ku ai ndodhet në arrest shtëpiak prej 30 dhjetorit. Berisha e ka nisur fjalën e tij, duke u shprehur se, qytetarët që protestojnë çdo ditë janë shumica e kombit. Ish-kryeministri ka paralajmëruar se së shpejti në kryeqytet do të rikthehen marshimet e dikurshme që vranë frikën te qytetarët gjatë ndërrimit të sistemeve.
Sali Berisha: Nuk ka shqiptar sot që pranon me vullnet, me dëshirë, një qeveri që grabit votën e qytetarëve, një qeveri, e cila ndërsen bandat për të terrorizuar qytetarët. Një qeveri, e cila vjedh qytetarët nga mëngjesi gjer në darkë. Nuk ka shqiptar, që i thotë vetes shqiptar, që do një qeveri që boshatis në mënyrën më të pamëshirë Shqipërinë. Por ka shqiptarë që kanë frikë të ngrenë zërin kundër kësaj qeverie. Ka shqiptarë që kanë frikë të mos i binden bandave që ajo ndërsen kundër tyre. Ka shqiptarë, të cilët ulin kokën, pavarësisht se varfërohen çdo muaj, çdo vit e më shumë.
Ka shqiptarë, të cilët ndonëse vendi i tyre tretet para syve të tyre, përsëri nga frika heshtin. Por ju jeni shembulli i tyre, ju jeni frymëzimi i tyre, ju jeni shumica e vërtetë e kombit. Ndaj dhe unë u bëj thirrje qytetarëve të frymëzuar nga ju, nga kjo betejë, të bashkohen dhe të ecim të sigurt drejt fitores.
Ndër të tjera Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar poshtë banesës së tij deklaroi se deputetët e opozitës e kanë asgjësuar parlamentin e krimit.
Sali Berisha: Nuk jeni këtu për Sali Berishën, por jeni këtu për misionin e madh të shpëtimit të Shqipërisë, jeni këtu për të frymëzuar shqiptarët në këtë betejë jetike, vendimtare për fatin e kombit, fatin e fëmijëve tanë, fatin e vendit tonë. Asnjëherë nuk duhet për asnjë moment të heqim dorë nga kauza jonë e drejtë, por duhet ta mbrojmë atë siç po e mbroni ju. Ndaj dhe ftesa ime është së pari për çdo demokrate dhe demokrat, këto janë momente historike për PD-në.
Janë momente në të cilat kjo parti, anëtarët e saj, mbështetësit e saj duhet të vendosin të ngrihen në këmbë si luftëtarë lirie, të ngrihen në këmbë si burra dhe gra që përmbysën diktaturën më të egër staliniste në Shqipëri, për të përmbysur diktaturën e re moniste të krimit. Apo të ngrihen në këmbë për t’i dalë zot trashëgimisë së tyre të shkëlqyer. Të ngrihen në këmbë si viganë për të mposhtur diktaturën e re, si vizionarë, si misionarë. Historia fton të gjithë ata të ngrihen përsëri në këmbë, përndryshe arkivat e saj presin të gjithë ata që do qëndrojnë indiferentë në këtë kohë. Unë e kuptoj se zhvillimet kanë pasur shpejtësi marramendëse, e kuptoj gjithashtu se kjo e keqe nuk erdhi përnjëherësh, erdhi gradualisht.