Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi se kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar edhe thirrjet e ndërkombëtarëve për çështjen e Belinda Ballukut, sepse kërkon të mbrojë veten dhe të afërmit e tij për aferat e tyre.
Në mbledhjen e Kryesisë, kryedemokrati theksoi se kreu i qeverisë ka zgjedhur si “rrugëdalje” shkelmimin haptas të integrimit në BE.
Për Berishën, propozimi i Ramës bashkë me presidentin serb për integrim pa të drejtë vetoje, është një akt tradhtie kombëtar sepse, sipas tij, ata kërkojnë thjesht një integrim tregtar me Unionin evropian.
Ai përmendi problematikat politike të Serbisë me BE, duke e cilësuar si Rusinë e vogël në Ballkan, që sipas tij nuk kanë të bëjnë fare me Shqipërinë, ndaj dhe nuk mund të dilet me një ide të përbashkët të tillë.
Berisha: Edi Rama, pavarësisht nga paralajmërimet që mori, vendosi që para procesit të integrimit të zgjedhë mburojën e tij ligjore për vjedhjet që ka bërë, të mos dorëzohet para ligjit ai as dhe rrethi i tij i ngushtë familjar. Por një gjë është prapë e qartë se e gjithë kjo përplasje e madhe me opozitën, me partnerët ndërkombëtarë, bëhet vetëm për Ramën dhe rrethin e ngushtë familjar. Pra çdo shqiptar paguan për vjedhjet e Ramës, njerëzit me të cilët ka vjedhur, Lindës së tij dhe baxhanakut etj.
Si rrugëdalje ai ka zgjedhur shkelmimin haptas të interesit të çdo shqiptari, integrimin mbi bazë merite, dhe kërkesën që bëri me Vuçiç për një integrim tregtar, marrëveshje tregtare me BE, por jo paketa politike. Thjesht një partneritet në tregti. Me çiftimin e Shqipërisë me Serbinë, Edi Rama kreu një akt ndër më të egrit armiqësorë ndaj shqiptarëve. Cilado që të jenë problemet e Shqipërisë, nuk ka asnjë problem madhor në rrafshin strategjik, gjeostrategjik dhe politik me BE. Që ka Serbia.
Serbia, jo nga Shqipëria, por nga qëndrimet dhe historia e saj, konsiderohet Rusia e vogël në Ballkan. Rusët bënë çdo përpjekje që TAP të dështonte, e të mos kalonte nga Shqipëria sepse e dinin se gazi i tyre nuk mund të kalonte. Serbia ka probleme të mëdha politike për të zgjidhur në rrënjët me fqinjët, me Kosovën e Bosnjen.





