Ish-kryeministri Sali Berisha ka refuzuar që të shkojë dhe të përballet me prokurorët e SPAK, në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku do të diskutohet kërkesa për arrestimin e tij.
Përmes një deklarate të bërë nga selia blu, Berisha tha se nuk do të ishte i pranishëm, për shkak se sipas tij në proces është shkelur Kushtetuta. Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha tha se protesta e sotme në ambientet e jashtme të Kryesisë, është e para e një stine protestash që do të ndërmarrë opozita. Berisha i quajti laro prokurorët e SPAK.
Sali Berisha:
Jam sot këtu për të shpallur fillimin e betejës pa kthim në rrugët e Tiranës, sheshet e saj, në çdo skaj të këtij vendi.
PD është e vendosur t’i përgjigjet dhëmb për dhëmb sundimit të Edi Ramës, të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve.
Sot, çdo demokrat i vërtetë ndjehet një luftëtar i lirisë. I betuar për të bërë gjithçka për shembjen e narkodiktaturës, për shembjen e regjimit, i cili u grabit votën shqiptarëve.
Për shembjen e regjimit, i cili u kontrollon vullnetin shqiptarëve.
Për shembjen e regjimit, i cili vjedh ata sa kurrë ndonjëherë në historinë e tyre.
Për shembjen e regjimit, i cili asgjësoi parlamentin pluralist, duke iu mohuar përfaqësuesve të opozitës, të drejtat kushtetuese.
Për shembjen e regjimit më armiqësor në rrafshin e identitetit kombëtar që shqiptarët kanë pasur në historinë e tyre.
Sot të dhënat e regjistrimit të fundit, që po e manipulon përditë Edi Rama, janë jo më shumë se 1,5 milionë banorë.
Nëse ne vazhdojmë me Edi Ramën, ne do firmosim symbyllas shfarosjen tonë.
Sot, njëlloj si në diktaturë, dikur hetuesia speciale e Sigurimit të Shtetit, larot e Edi Ramës, prokurorë mercenarë, paraqitën në Komisionin e Mandateve të parlamentit, pasi kanë kryer puçin kushtetues, i kanë marrë pushtetin parlamentit me urdhër të Edi Ramës, pasi kanë shkelur me dy këmbë nenin 73 dhe 38 të Kushtetutës së vendit, ata sot paraqiten si gardë pretoriane mbi parlamentin, mbi Kushtetutën, për të kërkuar jo vendosjen e masave siç e kërkon Kushtetuta, por për të kërkuar legjitimin e vendimit të tyre antikushtetues, madje rëndimin e këtij vendi, jo se ka ndryshuar gjë, se në akuzë janë zero, po se unë kundërshtova këtë vendim si një element të puçit të shtetit brenda shtetit, të Edi Ramës, marrjen e pushtetit të parlamentit nëpërmjet mercenarëve në gjykata dhe prokurori.
Sot, këta prokurorë paraqiten në parlament pasi kanë rishkruar në zyrat e tyre me urdhër politik Kushtetutën e vendit. Gjë të cilën nuk mund ta bëjë kurrë asnjë njeri në Shqipëri, as presidenti, as kryeministër, atë mund ta bëjë vetëm parlamenti dhe sovrani popull në referendum.
Sot, këta prokurorë paraqiten në parlament pasi i kanë hequr parlamentit kompetencën kushtetuese për dhënien e autorizimit për heqjen e lirisë së deputetit, siç bënë ata me heqjen e lirisë Sali Berishës për largimin jashtë shtetit.
Sot pra, ata shkojnë si përfaqësues të Edi Ramës, mbi Kushtetutën, mbi parlamentin, poshtërojnë në këtë mënyrë institucionin qendror të një republike parlamentare, de facto sot një narkorepublikë apo republikë e bandës, krimit dhe vjedhjes së shqiptarëve.