Që nga miratimi i rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten, janë rritur bombardimet ajrore në në Gazën qendrore. Mediat ndërkombëtare raportojnë se të paktën 40 palestinezë janë vrarë dhe dhjetëra janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin qendror të Gazës që nga mbrëmja e djeshme.
Qyteti Deir el-Balah në qendër të Gazës ishte nën bombardime të forta nga forcat izraelite gjatë natës. Njerëzit nga vende si kampet e refugjatëve Bureij dhe Nuseirat u urdhëruan të evakuoheshin, ndërsa, kërkimet për personat nën rrënoja po vazhdojnë.
Ushtria izraelite njoftoi vdekjen e 8 ushtarëve të vrarë në luftime në veri dhe në qendër të Rripit të Gazës. Që nga fillimi i operacionit tokësor, numri i ushtarëve të vrarë në betejë është 152.
Ndërkohë presidenti amerikan Joe Biden, në një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, theksoi nevojën për të mbrojtur popullsinë civile në Gaza dhe ata që mbështesin aktivitetet humanitare. Presidenti amerikan vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e lejimit të civilëve për të lëvizur të sigurt nga zonat e luftimit.
Duke e quajtur atë një bisedë të gjatë dhe private një ditë pasi administrata e Biden e mbrojti përsëri Izraelin në arenën diplomatike, raportojnë agjencitë e lajmeve.
Sipas zyrës së kryeministrit izraelit, Netanyahu shprehu vlerësimin ndaj SHBA-së për qëndrimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Zyra e Netanyahut shtoi gjithashtu se ai “e bëri të qartë se Izraeli do të vazhdojë luftën derisa të përmbushen plotësisht të gjitha objektivat e tij”.
Biden dhe Netanyahu folën në detaje rreth operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza, duke përfshirë “objektivat dhe fazat e saj”, nevojën për të mbrojtur jetët e civilëve dhe sigurimin e lirimit të pengjeve që mbahen rob, tha Shtëpia e Bardhë, sipas Reuters.
“Udhëheqësit diskutuan rëndësinë e sigurimit të lirimit të të gjithë pengjeve të mbetura”, tha Shtëpia e Bardhë.
Biden nuk pranoi të detajojë bisedën e tij me Netanyahun, duke u thënë gazetarëve se ishte një “bisedë private”, por shtoi se nuk kërkoi armëpushim.
Të premten, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë të zbutur që kërkon përshpejtimin e menjëhershëm të shpërndarjes së ndihmave për civilët e dëshpëruar në Gaza, por jo për një armëpushim.