Të dënuarit e burgut të sigurisë së lartë në Peqin jetonin në kushte që do t’i kishin zili edhe ata që shijojnë lirinë jashtë mureve të këtyre institucioneve. Në një letër të drejtorit të burgut, Kamber Hoxha, e cila është bërë publike, tregohet se disa prej të dënuarve, kryesisht ata me burg përjetë, u është lejuar investimi në dhomat e tyre duke i bërë këto të fundit thuajse të privatizuara.
Me këtë nënkuptohet dhe futja e një sërë pajisjeve nga jashtë, të cilat bëjnë më të vështirë kontrollin e futjes apo ruajtjes së sendeve të paligjshme, siç ishte dhe arma në rastin e Sokol Mjacajt, me të cilën vrau Arben Lleshin. Po ashtu në letrën e Kamber Hoxhës thuhej se të burgosurit kanë shndërruar ambientet e përbashkëta si klasa këshillimi në “palestra personale” që nuk mund të aksesohen nga të gjithë. Ndërsa shumë të burgosur të tjerë përdoren për të pastruar qelitë apo për detyra të tjera të rëndomta, duke u shndërruar në shërbëtorë të të fortëve.
Më tej, shkruhet se dhomat e takimeve të veçanta janë ri konstruktuar duke shtuar krevate e kondicionerë, ndërsa në dhomat e të burgosurve ka pajisje si furra, frigoriferë të mëdhenj, por edhe bokse muzike.