De Biasi ‘pendohet’ që la Gjimshitin jashtë Euro 2016: Ja çfarë ndodhi

Ish-tekniku i Kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi, është shprehur i keqardhur që në kohën kur ekipi kuqezi mori pjesë në Euro 2016, ai e la jashtë grumbullimit mbrojtësin Berat Gjimshiti, sot kapiten i ekipit.

Shtatë vjet më pas, Gjimshiti dhe djemtë e kombëtares e kanë udhëhequr Shqipërinë drejt një Europiani tjetër, ku shtylla e qendërmbrojtjes pritet të jetë edhe ndër pikat më të forta të kuqezinjve.

Por, De Biasi, e pranoi se vendimi asokohe nuk ka qenë i lehtë.

“Isha unë që e sinjalizova të shkonte te Atalanta. Më vjen keq që e lashë jashtë në 2016, por nuk kishte luajtur shumë. Miku im që ishte drejtor i Atalantës, tha nëse nuk e vendosni në lojë si do ta merrni. Por pati debat në Europian. U përpoqa të merrja ata që ishin më mirë dhe kishin luajtur më shumë në ndeshjet më përpara”, tha De Biasi.

Gjithashtu, tekniku italian përshkroi se duhet pasur parasysh se sot Gjimshiti është 29 vjeç, por asokohe ishte një djalosh 22-vjeçar, i ri, i cili kishte shkuar në Itali si fillestar.

“Sot është lojtar i afirmuar që ka treguar cilësitë e tij. Ta krahasosh me 7 vite më parë është diçka komplet tjetër”, përmbylli De Biasi.

Lajme të tjera |  E MREKULLUESHME/ Dy golat e Myrto Uzunit sjellin gëzim te Sylvinho, sulmuesi i Kombëtares çmend Spanjën dhe vlerësohet me super notë

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us