Demokratët mblidhen sërish poshtë shtëpisë së Berishës

Dhjetëra demokratë janë mbledhur sërish këtë të mërkurë poshtë banesës së kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha. Poshtë pallatit ku banon kreu i opozitës, në rrugën “Mustafa Matohiti”, e njohur ndryshe si “Rrugica e Salës”, demokratët edhe njëherë janë mbledhur duke brohoritur për liderin e Partisë Demokratike, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Në shenjë proteste ata kërkojnë lirimin e Berishës. Mes simpatizantëve, kishte edhe figura të PD-së, mes tyre ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, i cili mbajti dhe një fjalë të shkurtër për mediat e pranishme.

“Kjo neodiktaturë e ka një emër, është Edi Rama. Por të jeni të bindur se efekti do të jetë i kundërt. Do të zgjojë shpirtin e lirë të qytetarëve shqiptarë. është një revoltë, e cila është e shpërndarë në mbarë vendin ku shihet tentativa për t’i mbyllur gojën opozitës. Imagjinoni se çfarë mund të bëhet me qytetarët e thjeshtë të këtij vendi,”-tha në fjalën e tij Bardhi.

Lajme të tjera |  E reja vjen nga Londra për protestën: Këtu s'kanë lekë dhe bukë!

Ndërkohë, në kushtet kur i lejohet që të flasë vetëm me bashkëjetuesit e tij, Berisha edhe sot doli në dritare. Pasi i përshëndeti simpatizantët me simbolin e 2 gishtave, tundi dy flamuj. Ndryshimi i vetëm kësaj herë ishte se nuk ishin të dy flamujt e Partisë Demokratike, por njërin e kishte zëvendësuar me atë kuqezi.

Me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shkak të hetimeve në dosjen “Partizani”, Berisha është lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Gjykata e Posaçme pranoi të shtunën kërkesën e SPAK për shtrëngimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin i dyshuar për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në “arrest shtëpie”.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us