Opozita vijon protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, ndërsa kryedemokrati Sali Berisha u ka bërë thirrje partive të tjera opozitare që t’i bashkohen në tryezën e ardhshme politike për të krijuar një front të gjerë kundër mazhorancës.
Duke komentuar zhvillimet në emisionin “Trialog” në RTSH, deputeti demokrat Besart Xhaferri tha se kjo është tryeza e parë ku do diskutohet për një koncept të ri politik.
Xhaferri theksoi se opozita nuk e ka ndaluar asnjëherë artikulimin e qeverisë teknike, teksa shtoi se, sipas tij, opozita është shumë afër arritjes së këtij qëllimi.
“Ne nuk e kemi ndaluar asnjëherë artikulimin e qeverisë teknike, por rrethanat nuk kanë qenë gjithmonë më të volitshme për të sjellë nevojën imediate të qeverisë teknike. Sot jemi më afër se kurrë një qeverie teknike. Nuk ka qenë ndonjëherë në krizë legjitimiteti qeverisja. Më parë kanë qenë akuza, sot janë të provuara. Sot po ripërsërisin skenarin e Gruevskit në 2015 dhe drejt atij rezultati do shkojmë”, deklaroi ai.





