Deputetja Erisa Xhixho: Kemi kërkuar trefishim të bonusit të bebeve. Shqipëria është kthyer në një vend që ofron mundësi vetëm për disa njerëz

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho tha në studion e emisionit “MCN Economy” se reforma territoriale nuk arriti rezultatin që synonte pasi aksesi i qytetarëve tek shërbimet është shumë i mangët dhe se kësaj situate të vështirë i janë shtuar dhe problematikat e ardhura nga harta e re gjyqësiore.

Sipas Xhixhos, mungesa e shërbimeve, dhe fakti që qytetet nuk shihen si qendra ekonomike dhe edukative bën që njerëzit të largohen në vende më të zhvilluara, por edhe jashtë Shqipërisë.

Kjo reformë nuk arriti rezultatin që synonte. Aksesi i qytetarëve tek shërbimet bashkiake është shumë i mangët. Duke munguar shërbimet, duke reduktuar drejtoritë arsimore, duke i shtuar reformës hartën e re gjyqësore kur 18 gjykata u zvogëluan, këto reforma në vazhdimësi tregojnë që është punuar për të pasur këtë rezultat që afishohet, pra të një shpopullimi dhe të një braktisje të qyteteve nga njerëzit.

Duke mos pasur shërbime, duke mos parë qytetin si një qendër ekonomike, edukative,  padyshim që qytetarët do t’i zbrazin ato. Në një studim të bërë nga InfoChip për hartën gjyqësore, vështirësohet jo vetëm aksesi por edhe ka rritje të kostos. Të gjitha këto shërbime demotivojnë qytetarët që të largohen ose drejt qendrave, ose jashtë vendit.

Kanë qenë disa reforma që do duhet të arrinin disa qëllime të tjera si “rivilatizimin e qyteteve”, “rilindjen urbane” , jemi në situatën kur në universitete ka më pas studentë, në klasat e para ka më pak nxënës. Kjo duhet të përkthehej në politika të dedikuara për të luftuar shpopullimin apo rritjen e lindshmërisë ndërkohë qeveria nuk e adreson, nuk e njeh si problem.

Projektbuxheti i 2024 ka zero mbështetje për njerëzit në nevojë, buxheti për arsimin shkon në shifrat 2.29% të PBB ndërkohë që minimuni i standardit evropian është 5%.

Xhixho tha se ajo ka dërguar tek Ministria e Financave propozimin për trefishim të bonusit të bebeve, standardizimin e tij për të gjithë fëmijët dhe dhënien e një paketë për çiftet e reja.

Kam çuar propozim tek ministri i Financave për ta trefishuar bonusin e bebeve, megjithëse është një dështim sepse nuk ka pasur rritje të lindshmërisë, jemi në shifra negative. Propozimi im ishte që e para ta standardizojmë, por të jetë 1 milion e 800 mijë lekë për çdo fëmijë dhe të shoqërohet me një paketë të dedikuar për çiftet e reja. Ajo që dëgjon rëndom tek të rinjtë është se një nga arsyet e largimit është edukimi dhe arsyeja tjetër është se nuk arrijnë të krijojnë familje sepse kostoja është shumë e lartë.

Sipas Xhixhos, Shqipëria është kthyer në një vend që ofron mundësi vetëm për disa njerëz, dhe jo për të gjithë.

Nuk kthehet se nuk e sheh Gjirokastrën apo Shqipërinë si një vend të mundësive të të gjithëve, por vendi ynë fatkeqësisht është kthyer në vend të mundësive të disave. Rënia e studentëve në Universitetin e Gjirokastrës këtë vit ishte drastike. Rrezikon të mos kesh as të rinj të kualifikuar. Në gjithë Republikën kemi vetëm 7 mësues fizike, Mësuesit janë të mbingarkuar, të keqpaguar dhe rezultati i Pisa-s ishte kambanë që duhet të kishte tunduar qeverinë.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us