Zamir Kalemi, të cilit iu bë atentat ditën e premte më 12 janar, ka treguar se nuk ka arritur të shohë autorët që i zunë pritë. 35-vjeçari, siç raportoi ZËRI më herët, ka zbërthyer të gjitha lëvizjet që ka bërë ditët e fundit dhe personat me të cilët është takuar, por, për autorët, nuk ka ditur të thotë asgjë. Kalemi është shprehur se ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të të shtënave dhe se nuk ka arritur që të identifikojë asnjë prej autorëve.
“Në momentin që ka ndodhur ngjarja unë kam qenë duke u kthyer për në banesën time pasi konsumova një kafe. Unë nuk arrita të shikoj autorët dhe për shkak të të shtënave kam humbur kontrollin e makinës. Konflikte nuk kam me askënd,”- ka thënë Kalemi para autoriteteve.
Nga hetimet paraprake, Kalemi rezulton të jetë ndjekur për disa orë dhe autorët kanë nisur të qëllojnë me breshëri, sapo makina e tyre “Nissan” me targa të vjedhura në 2018-ën në Tiranë, ishte paralel me atë të 35-vjeçarit, në një distancë të ngushtë në rrethrrotulimin e Selitës.
Ai i mbijetoi atentatit dhe mori vetëm një plumb në këmbë. Kalemi ndodhet ende në ambientet e spitalit të Traumës. Nga ana tjetër, Policia ka ofruar 15 mijë euro shpërblim për çdo qytetar që jep informacion për identifikimin dhe kapjen e autorëve të atentatit.
Zamir Kalemi është vëllai i Adriatik Kalemit, të cilit i janë bërë dy atentate në Greqi në shtatë muajt e fundit. Ngjarja e të premtes dyshohet se është si rrjedhojë e zinxhirit të vrasjeve që kanë nisur në Greqi që në vitin 2022 e më pas përplasjet janë zhvendosur në Shqipëri.
Konfliktet e para kanë nisur për 700 kilogramë kanabis që janë zhdukur në Greqi. Fillimisht për këtë sasi droge dyshohet se janë vrarë dy shqiptarët Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja, si dhe është zhdukur pa gjurmë miku i tyre i ngushtë, i identifikuar si Leonardi.
I pari që “pagoi” haraçin për kanabisin e zhdukur në vendin tonë ishte Aleksandër Sadikaj që u vra në mënyrë makabre me lëndë plasëse në makinën e tij në zonën e TEG-ut.
Në Greqi, Sadikaj përdorte tre gjeneralitete dhe një prej tyre ishte Aleksandër Kalemi, duke marrë edhe mbiemrin e dajës së tij, Andrea (Adriatik) Kalemi.
Duke marrë parasysh se i riu kishte disa skedime për vepra të ndryshme penale, ka pasur disa pista për vrasjen e tij, por përplasja për narkotikët është kryesorja. Dyshimet i shtoi babai i tij, i cili bëri me dije edhe për një borxh që Papa i kishte 27-vjeçarit nga Tepelena. Më konkretisht, ai i kishte blerë 100 kg hashash disa vite më parë, por nuk ia kishte shlyer të gjitha paratë.
Disa muaj më pas, u vra biznesmeni Edmond Papa. Rrethi u zgjerua, pasi shënjestra e radhës do të ishte Aleksandër Kalemi, të cilit iu bënë dy atentate në vendin fqinj. I pari ishte më 10 Gusht 2023, në ishullin Paxos, ndërsa i dyti më 15 dhjetor teksa ndodhej në burgun e Koridhalos, po në shtetin helen.