“Dëshminë, Fiqiret Shehut ia diktoi Komitetit Qendror dhe e shkroi me dorën e saj”, ish-kryehetuesi Lame: Pse gjyqi popullor ndaj Kadri Hazbiut ishte më flagranti


Duke folur për gjyqin ndaj Kadri Hazbiut, ku midis të tjerësh dëshmoi edhe Fiqiret Shehu, e veja e ish-kryeministrit të ndjerë, Mehmet Shehu, ish-kryehetuesi i diktaturës, Qemal Lame tregoi në emisionin “Kjo Javë” në News 24, mënyrën se si ngriheshin akuzat.

“Fiqiret Shehu ka dhënë shpjegime me shkrim dhe janë marrë për bazë edhe gjatë hetimit dhe gjatë procesit gjyqësor. Për t’u bërë i besueshëm ky proces, të pandehurve u është thënë të shkruhen me dorën e tyre. Ato janë të parapërgatitura sipas porosive të Komitetit Qendror. Duke filluar nga Fiqiret Shehu dhe bashkëpunëtorët e tjerë i kanë shkruar me dorën e tyre në procesverbalet nga hetuesia dhe janë firmosur. Kjo konsiderohej një provë direkte me rëndësi për procesin penal, nga ana formale juridike kemi të bëjmë me një burim prove, por këto prova janë të falsifikuara.

I gjithë procesi është ndërtuar mbi bazën e porosive. Edhe shpjegimet që ka dhënë Fiqiret Shehu janë sipas shpjegimeve që janë dhënë nga hetuesia. Hetuesit e çështjes u kërkonin të jepnin të njëjtat shpjegime që kishin dhënë në hetuesi sepse partia do t’u lehtësonte dënimet. Kadri Hazbiu e dinte si metodë dhe deri në fund nuk pranoi akuzat. Mua më kërkuan mendime nga ana procedurale. Të gjitha dokumentet janë ligjore nga pikëpamja procedurale, por në fakt janë të falsifikuara”, tha midis të tjerash Lame.

Ai tregoi se në të gjitha rastet, dënimet me vdekje jepeshin nga partia, ndërsa gjykatat thjesht ndiqnin procedurat. Rasti më flagrant sipas tij, ishte Kadri Hazbiu. “Vendimet deri me vdekje jepeshin nga partia, ndërsa në rrugë ligjore zbatoheshin nga hetuesia dhe gjykata. Nga ana politike bëhej gjykimi politik. Në pleniumin popullor vendimi jepej me entuziazëm me duartrokitje. Aty merrte fund çdo aktivitet tjetër i këtyre personave dhe kjo është më flagrante me Kadri Hazbiu, pasi në rastin e Mehmet Shehut kjo mbeti enigmë.

Në rastin e Hazbiut u vendos eliminimin e tij. Nga ana procedurave, Kadri Hazbiu mohoi plotësisht akuzat, ndërsa personat e tjerë që bashkëpunuan me hetuesinë dhe Sigurimin i pranuan akuzat dhe dhanë shpjegime. Kjo u konsiderua si kryekomploti i të gjitha komploteve. Vendimet që ka marrë partia u zbatuan nga drejtësia dhe në rrugë ligjore ishin vendime që jepte gjykata për të dënuar persona në emër të popullit”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us