Sot ishte planifikuar të zhvillohej një takim mes presidentes Vjosa Osmani dhe kreut të Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ku do të diskutohej rreth Asosacionit. Megjithatë, takimi ka dështuar për shkak të një incidenti. Presidentja është vonuar ndërsa nga ana tjetër Haradinaj nuk ka pritur. Lidhur me këtë incident, ka folur zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili.
“Dje e kishim një vullnet të mirë për të biseduar me presidenten Osmani për çështjet me rëndësi për vendin, veçanërisht për draft-statutin e Asociacionit. Kryetari Ramush Haradinaj si dhe sekretari i Përgjithshëm Muharrem Nitaj ishin në Presidencë në orarin e përcaktuar nga presidentja Osmani, por fatkeqësisht presidentja nuk respektoi orarin e caktuar nga vetë ajo dhe për këtë arsye takimi nuk është realizuar”, ka thënë Xhemaili.
“Takimi ishte paraparë të mbahet, por për shkaqe protokollare nuk është realizuar. Z.Haradinaj nuk ka dashur të presë derisa protokolli e ka njoftuar presidenten për arritjen e tij”, ka thënë këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.
Ai shtoi se ftesa e Osmanit për Haradinaj qëndron e hapur.
“Pavarësisht kësaj, presidentja Osmani ka lënë të hapur mundësinë e takimit ditëve në vazhdim, kurdo që kreu i AAK-së e vlerëson se duhet diskutuar dhe adresuar çështjet e rëndësisë nacionale. Dera e Presidencës vazhdon të mbetet e hapur”.
Osmani ka ftuar tre liderët e partive opozitare parlamentare për të diskutuar rreth draftit të Asociacionit të propozuar nga ndërmjetësit. Ndërsa deri më tani ajo është takuar vetëm me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.