Në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë vijojnë homazhet për kryepeshkopin Anastas Janullatos, që u nda nga jeta mëngjesin e së shtunës në Athinë. Gjatë gjithë natës kisha ka qëndruar hapur për homazhe, ku qindra besimtarë i japin lamtumirën e fundit kryepeshkopit Anastas.
Ceremonia mortore do të mbahet nesër në orën 11:00, pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore. Klerikët do të mbajnë meshë përshpirtjeje me turne e pa ndërprerje deri nesër, kur trupi i Kryepeshkopit do të vendoset për t’u prehur përjetësisht në një ambient të posaçëm brenda Kishës, një amanet i lënë prej tij.
Greqia do të sjellë një delegacion në Shqipëri në ceremoninë e homazheve për kryepeshkopin Anastas Janullatos. Në Tiranë do të vijë kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, bashkë me 5 ministra të kabinetit të tij. Të pranishëm do të jenë gjithashtu përfaqësues nga të gjitha Mitropolitë e Shqipërisë, ambasadat e huaja në vend, një delegacion i nivelit të lartë nga Vatikani, patriku i Izraelit, i Aleksandrisë dhe i Qipros, por edhe përfaqësues të Kishës Ortodokse në botë.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar 2025 në spitalin ‘Ungjëllizimi’ në Athinë ku ishte i shtruar prej 3 janarit. Janullatos lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në Pire të Greqisë dhe prej vitit 1992 ai ishte Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndërsa më 22 dhjetor të vitit 2017, atij iu dha shtetësia shqiptare nga ish-presidenti Ilir Meta. Janullatos njihet si një person i lidhur me rilindjen e besimit Orthodoks, pasi praktikimi i fesë ishte i ndaluar me ligj prej viteve 1967-1991.





