Dhjetëra qytetarë kanë dalë këtë të diel në protestë, me thirrje kundër vrasjeve të vajzave dhe grave.
“Ndal femicidit”, “denonco dhunën”, “drejtësi për Liridonën’, janë disa nga pankartat që të rinjtë mbajnë në duar, bashkë me foton e Liridona Ademaj-Murselit, gruas që u vra nga bashkëshorti, me një skenar si në filma.
Ata marshuan nga Ministria e Brendshme drejt ambasadës së Kosovës në Tiranë.
Ndërsa në Prishtinë, protesta u zhvillua para gjykatës, gjatë kohës kur po mbahej seanca ndaj të dyshuarve për vrasjen e nënës së dy fëmijëve. “Pa paqe, nuk ka siguri”, “gratë janë në luftë”, ishin thirrjet e aktivistëve.
Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, bazuar në rrëfimin e Naim Murselit. Policia tha se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri.
Por me arrestimin e bashkëshortit të viktimës dhe bashkëpunëtorit të tij, Granit Plavës, rezultoi se Naimi kishte organizuar skenarin për vrasjes e gruas. Ai i kishte ofruar 30 mijë euro Plavës për të ekzekutuar Liridonën, në sy të fëmijëve të mitur. I përfshirë në ngjarje është edhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i FSK-së.