Djali i sh-presidentit Hashim Thaçi ka reaguar pas vizitës që kryeministri Edi Rama i bëri të atit në paraburgimin e Hagës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Endrit Thaçi, ka shprehur mirënjohjen e tij dhe të nënës ndaj kryeministri Rama, duke vlerësuar jo vetëm fjalët, por edhe veprimet e tij si shembull atdhedashurie dhe përkushtimi.
Reagimi vjen në të njëjtën ditë kur kryeministri Rama njoftoi se kishte dalë nga ambientet e paraburgimit ku prej më shumë se pesë vitesh mbahen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rama bëri të ditur se gjatë takimit e kishte gjetur Hashim Thaçin në gjendje të mirë, të qetë dhe të buzëqeshur, pavarësisht kufizimeve që, sipas tij i janë vendosur dhe që i cilësoi të pajustifikuara.
Sipas kryeministrit, biseda me Thaçin u përqendrua te familja, miq të përbashkët, si dhe në çështje që lidhen me Shqipërinë dhe Kosovën.
Po ashtu, pjesë e takimit ishin edhe diskutimet rreth librave dhe leximeve që ish-presidenti po ndjek gjatë qëndrimit në paraburgim, një vend që Thaçi, me humor, e ka quajtur “institut”.





