Klubi i Tiranës po zhvillon një revolucion të mirëfilltë me ndryshime të mëdha në radhët e tij gjatë janarit. Pasi ka larguar njëherësh 9 futbollistë në ditët e kaluara dhe pret të bëjë të njëjtën gjë me emra të tjerë, klubi kryeqytetas do të bëjë edhe lëvizje në hyrje për të plotësuar radhët e ekipit të drejtuar nga Ardijan Nuhiu.
Dy nga emrat që do të firmosin me bardheblutë janë lojtarët nga Kosta Rika, Fredi Alvarez dhe Johan Kortes. I pari është qendërmbrojtës ndërsa i dyti është mesfushor ofensiv dhe të dy vijnë nga radhët e klubit të Liberias.
Ndaj futbollistët kanë postuar në rrjetet sociale një foto së bashku në aeroport që me 1 janar, teksa bëheshin gati për të udhëtuar drejt Tiranës, për të nisur këtë aventurë të re në futbollin shqiptar si pjesë e bardhebluve./Panorama Sport/






