Ka nisur seanca në Këshillin e Mandateve, ku po diskutohet kërkesa e SPAK për arrestimin e Sali Berishës. Seanca ka nisur me fjalën e avokatit mbrojtës të Berishës, Genc Gjokutaj, i cili e ka konsideruar të paligjshëm vendimin e SPAK, për të kërkuar për ish-kryeministrin një masë sigurie detyrim paraqitje për liderin e demokratëve.
Gjokutaj kërkoi pezullimin e mbledhjes së sotme në Këshillin e Mandateve, ndërkohë që u përplas dhe me deputetin Enkelejd Alibeaj, i cili kërkoi që Gjokutaj të ndalej shkurtimisht te parashtrimi në Këshillin e Mandateve.
“Kini detyrimin që të më dëgjoni, pastaj zoti Alibeaj le të merret me telefonin”, u shpreh Gjokutaj.
“Kërkoj sot që ju të shtyni këtë seancë, pasi çështja është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, dhe vendimi i saj prevalon mbi të gjitha kërkesat e tjera. SPAK në rastin e parë nuk ju është drejtuar ju, dhe tashmë ju drejtohet ju që rrjedh nga një masë që ju nuk e keni autorizuar”, tha më tej Gjokutaj.
Të pranishëm në mbledhje janë dhe prokurorët e SPAK Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai, ndërkohë që nga deputetët e PD është i pranishëm vetëm Enkelejd Alibeaj.