Gjykata Kushtetuese do të mblidhet sot për ankimimin e qeverisë për pezullimin e Ballukut

Gjykata Kushtetuese pritet të dalë këtë të martë me një vendimmarrje për çështjen “Balluku”. Tetë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të mblidhen në Dhomë Këshillimi, në një seancë që do të drejtohet nga kryetarja Fiona Papajorgji.

Kjo është hera e dytë që trupa e gjyqtarëve mblidhet në dhomë këshillimi për këtë çështje. Në mbledhjen e parë, të martën e kaluar, gjyqtarët nuk arritën në një vendim përfundimtar, duke kërkuar më shumë kohë për shqyrtim.

Sot pritet që Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim, ku pika kryesore lidhet me ligjshmërinë e masës së pezullimit nga detyrat qeveritare të Belinda Ballukut, vendim i marrë më herët nga Gjykata e Posaçme (GJKKO).

Kjo seancë vjen pas shtyrjes së mbledhjes së 27 janarit, ku u shqyrtua ankimimi i qeverisë kundër vendimit të GJKKO-së, por pa prodhuar një vendim përfundimtar.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet me interes pasi ai do të ndikojë drejtpërdrejt në veprimet e Këshillit të Mandateve. Ky i fundit shtyu mbledhjen e parashikuar për të mërkurën, ku do të shqyrtohej kërkesa e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, duke pritur më parë vendimmarrjen e Kushtetueses.

Lajme të tjera |  Shtyhet gjyqi! Veliaj dhe Xoxa mungojnë në GJKKO, edhe avokati Ndreca nuk paraqitet, gjobë 50 mijë lekë

Çështja ka tërhequr vëmendje të gjerë publike dhe institucionale, pasi është hera e parë që një ministër pezullohet pas një kërkese të SPAK-ut, duke e vendosur rastin në qendër të debateve juridike dhe politike.

Qeveria i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të interpretojë nenin 103 të Kushtetutës, i cili parashikon se anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit. Sipas qeverisë, Gjykata e Posaçme nuk mund të pezullojë një ministër pa autorizim nga Kryeministri.

Nga ana tjetër, prokurorët e SPAK-ut, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kanë kundërshtuar këtë qëndrim, duke theksuar se pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e Kryeministrit dhe se nuk ekziston konflikt kompetencash mes pushteteve.

Tetë gjyqtarët e Kushtetueses pritet të sqarojnë gjithashtu nëse ka pasur ndërhyrje të pushtetit gjyqësor në atë ekzekutiv dhe nëse një ministër gëzon të njëjtin imunitet ligjor si një deputet.

Lajme të tjera |  Gjirokastra, destinacion elitar i turizmit shqiptar, Sula: Inspektorët do të pajisen me kamera inteligjente

Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2025, Gjykata Kushtetuese vendosi me shumicë votash rikthimin e Belinda Ballukut në detyrë si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke shuar masën e sigurisë “pezullim nga detyra” të dhënë më parë nga Gjykata e Posaçme.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, vijimi i kësaj mase rrezikonte të sillte pasoja që prekin interesat shtetërore dhe ushtrimin e kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv në përcaktimin e politikave të përgjithshme shtetërore.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us