Përpjekja për marrjen e eshtrave të Naim Frashërit nga Turqia, ndonëse vjen nga autoritetet konsullore, të cilat me shumë gjasa do të ishin kujdesur për to, në vitet ndërmjet 1927-’35-së, vinte drejpërdrejtë nga Oborri Mbretëror. Motivacioni me të cilin ato kërkohen thotë: “Qeveria mbretnore, tyke marrun një vendim në favoret e këtij propozimi, duke plotësue detyrën kundrejt kujtimit të Atdhetarit të Madh, dhe do të fitojë simpathinë e kolonive që gjenden jashta Shqipërisë. Ashtu dhe varri në atdhe, do jetë shembulli i mirëpunimit për gjenerasionet e ardhshme”.
Eshtrat e atdhetarit të madh, nxjerrin në pah, jo vetëm përpjekjen e shtetit për të kontrolluar eshtrat dhe rivarrimet, si akt-përkujtimi e kujdesjeje për trupin, por dhe ndërtimin e një regjimi të caktuar diskursiv e hegjemonik, mbi kujtesën kolektive kombëtare. Ato shërbejnë si lidhëz mes formës së qeverisjes, monarkisë dhe kujtesës kolektive shqiptare, ku Monarkia e mbi të gjitha monarku, Ahmet Zogu, luan rolin e ndërmjetësit mes të kaluarës e së tashmes së shqiptarëve.
Komuniteti shqiptar në këtë rast, nuk është vetëm ai që jeton në vend por edhe ai që jeton jashtë vendit, kundrejt të cilëve Monarkia, kërkon të propozohet si formë regjimi fundor, që realizon ëndrrën kolektive të pavarësisë e, vazhdimësisë së shtetit e mbi të gjitha të stabilitetit të vendit. Në të njëjtën kohë, përmes eshtrave të Naimit, ajo u qaset gjeneratave të ardhshme, të cilat duhet të kuptojnë, përmes provës së riatdhesimit të trupit, rolin tashmë hegjemonik që ajo ka në bërjen dhe mbajtjen e kujtesës kolektive.
Ky rol hegjemonik, gjithsesi nuk luhet nga shteti, por nga vetë Mbreti Zog, pasi përpjekjet për marrjen e eshtrave të Frashërllinjve, përshkruhen si sipërmarrje personale e Monarkut, i cili kërkon të monopolizojë apo t’i atribuojë trupit të tij të gjallë, çfarëdo elementi që e lidh atë me të kaluarën dhe e projekton në të ardhmen, tashmë monarkike. Vetë përkujdesja për eshtrat e Naimit, është tregues i fuqisë e pushtetit të vetë regjimit tashmë të konsoliduar monarkik dhe shërbejnë si katalizator, për të kërkuar edhe trupat e dy vëllezërve të tjerë, Abdylit e Samiut, ndonëse pa sukses.
Pengesat për marrjen e tyre vijnë nga familjarët të cilët, nuk dëshirojnë të ndahen nga të parët e tyre dhe, për më tepër, shprehen se tashmë kanë lidhur jetën, me vendin ku ndodhen eshtrat e të parëve të tyre. Vajza e Sami Frashërit, nuk pranon në asnjë mënyrë bartjen e eshtrave të të atit dhe po ashtu, ajo pengon zhvarrimin e Abdylit, ndonëse djali i tij, Mit’hat Frashëri, jeton në Shqipëri. Pengimi i tërheqjes së eshtrave të Sami Frashërit, lidhet tepër me aktivitetin polivalent intelektual, që nuk është mjaftuar vetëm me mbrojtjen e kauzës shqiptare, por është bërë i rëndësishëm dhe për gjuhën moderne turke. Mund të hamendësohet, që justifikimi mbi bartjen e eshtrave të Samiut, u kufizua në rrafshin familjar, për të mos nxjerrë në pah pikërisht këtë fakt të rëndësishëm, në një kohë që shteti i ri turk, kërkonte të vendoste premisat identitare e t’i kufizonte ato, me territorin tashmë të mirëpërcaktuar etno-politik të Anadollit. Në anën tjetër, letra e Mit’hat Frashërit, që ngarkon të afërmen e tij pikërisht me pengimin e zhvarrimit të Abdylit, mund të lidhet me idenë e ndalimit të përdorimit për qëllime propagandistike, të trupit të të atit.
Kërkimet shqiptare mbi eshtrat e famshme, përfundojnë me marrjen vetëm të Naimit dhe nuk shtyhen më tej dhe për faktin se tërheqja e tyre, duhet të përkojë me përvjetorin e 25-të të pavarësisë, (28 nëntor 1937). Lidhja e sovranit me eshtrat e Naimit, bëhet dhe më personale, pasi Monarku, shpreh zyrtarisht dëshirën, për të mbuluar shpenzimet e sjelljes së tyre në vend. Ky raport personal që Monarku kërkon të vendosë me trupin e vdekur të Naimit, nuk është i rastësishëm, pasi mëton të kërkojë dhe të përcaktojë në mënyrë të dukshme, lidhjen e zbulimin e rrënjëve kombëtare, si rezultat i stabilitetit politik dhe shpëtimin e vendit, gjë për të cilën Zogu pretendon, tërë meritat e mundshme. Zyra e shtypit të qeverisë përkujdeset, që ky raport, të shfaqet në mënyrë sa më të plotë. Eshtrat e Naimit, vendosen në Teqenë e Kryegjyshatës Bektashiane në Tiranë. Vendvarrimi përkon me traditën fetare bektashiane, të cilës Naimi i përkiste. Ky urdhër fetar, e ka lidhur ekzistencën e vet, me përpjekjet për t’i dhënë pavarësi shqiptarëve dhe kjo gjë hasej dhe një krijimtarinë letrare të Frashërit.
Eshtrat e Naimit, mendohet të preheshin përkohësisht pranë Kryegjyshatës, deri në realizimin e një panteoni kombëtar për patriotët, trupa të jashtëzakonshëm të cilët Monarku, është zotuar t’i gjejë.
në ceremoninë e rivarrimit, ministri i Arsimit, Faik Shatku, e përkujton veprën e Naimit përmes asaj të Zogut dhe anasjelltas. Është vetë Zogu që bën të mundur realizimin e veprës së Naimit, ose më saktë, atë që Naimi ka bërë për gjuhën, Monarku e ka bërë për shtetin. Naim Frashëri, sipas Shatkut, ishte i pari që provoi ndjenjën e atdhetarizmit, ama ishte Ahmet Zogu, ai që konsolidoi shtetin e kësisoj materializoi dhe veprën e rilindasit. Zogu, konsiderohet si plotësuesi i veprës së Naimit, “Skënderbeu i ri”, garant i dyfishtë i shqiptarëve i cili, themelon e garanton kultin laik të Naim Frashërit, e bëhet ndërmjetës mes tij dhe trupit të shqiptarëve.
Prehja eshtrave të tij në atdhe, nuk është vetëm një rit që shënjon paqtimin e duhur të trupit, por një provë suplementare militantizmi, në përpjekjet për forcimin e shtetit shqiptar, përpjekje këto që nuk mund të kalojnë, veçse nga Monarku, i cili nëpërmjet garancisë mbi eshtrat e Naimit, siguron për së gjalli shqiptarët. Ky raport projektohet kështu dhe tek eshtrat e patriotëve të tjerë, që do mund të bëjnë pjesë në idenë e ngritjes së një Panteoni Kombëtar. Ky monument, nuk do mund të realizohej, për shkak se dy vjet nga përkujtimi i Pavarësisë, Mbreti do të duhej të largohej nga vendi, për shkak të pushtimit italian. Pushtuesit italianë, kërkuan t’i jepnin një formë më të butë e gati bashkëpunuese, qëndrimit të tyre në Shqipëri. Nominalisht, vendi ishte i pavarur, ndonëse menjëherë pas pushtimit, Shqipëria dhe Italia, u bashkuan përmes ofrimit të Kurorës së Mbretërisë, Viktor Emanuelit III-të. Justifikimi politik i pushtimit, u ndërtua përmes dy narrativave, asaj të çlirimit nga obskurantizmi e prapambetja, dhe bashkimit të fateve të Shqipërisë, me Italinë, si mënyrë për të projektuar në realitet irredentizmin shqiptar e, mëtimet mbi Kosovën e Çamërinë.
Pavarësisht pushtimit, elementëve të ndryshëm të identitetit kombëtar, apo projektimit të Shqipërisë së madhe, kjo betejë u luajt në rrafshin e simbologjisë kombëtare. Kësaj vëmendjeje, nuk mundën t’i shpëtonin as eshtrat e Naimit, të cilat duhej t’i nënshtroheshin tashmë një narrative të ndryshme, nga ajo zogolliane. Për të legjitimuar rendin e ri politik, autoritetet italiane dhe kryesisht regjeti Jakomoni, e kthyen vështrimin dhe drejt eshtrave të Naim Frashërit. Kjo u bë dhe si përpjekje, për të siguruar hegjemoninë diskursive dhe atë praktike, mbi të cilën do imagjinohej kombi në bashkimin me Italinë. Më 9 prill të vitit 1940, një vit pas pushtimit italian, autoritetet publike, lajmëruan kryerjen e një ceremonie në ambientet e Kryegjyshatës Bektashiane, objekti i së cilës, ishte vendosja e eshtrave të Naim Frashërit, në një varr monumental.
Ceremoniali hynte në kuadrin e festimeve të 12 prillit, së pranimit të Kurorës Mbretërore të Shqipërisë, nga Mbreti Viktor Emanuel III-të. Ceremonia e rivarrimit do të zhvillohej nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Regjentit, Francesco Jacomoni-t e, që imitonte pak a shumë formën e përkujdesjes personale, sikurse dhe Zogu, për eshtrat e Naimit. Ribërja e varrit dhe rikonfigurimi i eshtrave të Naim Frashërit, ndiqte të njëjtën logjikë civilizuese, mbi të cilën justifikohej bashkimi i Italisë dhe Shqipërisë. Për këtë arsye, çështja kryesore që diskutohej mbi eshtrat e rilindasit, ishte ajo e dinjitetit. Autoritetet synonin të ndërtonin një monument funerar, më madhështor se i Zogut. Në këtë mënyrë, regjimi i ri kërkonte të rielaboronte figurën e Naimit, në një kontekst të ri politik, i cili do të simbolizohej nga monumentalizimi i një varri të ri. Nëse Zogu, kishte ndërtuar një varr për Naimin, autoritetet italiane bënë një mauzoleum, i cili respektonte dhe parafytyrimin e regjimit të ri, për madhështinë e veprave e simboleve, si dhe atë të traditës fetare të bektashinjve.
Ky rast shënoi dhe përpjekjen e regjimit, për ta futur figurën e Naimit dhe eshtrat e tij, në kuadrin e praktikave përkujtimore fashiste. Më tepër se sa legjitimiteti i kërkuar nëpërmjet përvetësimit të eshtrave, kërkonte ta fuste figurën e Naimit, në një narrativë të përbashkët e të pashmangshme fati, italo-shqiptar. Sipas Gazetës “TOMORI”, ceremoniali zyrtar i nxjerrjes dhe vendosjes së eshtrave në mauzole, përveç autoriteteve fetare dhe ato civile, shoqërohej dhe nga manifestime tipike fashiste, ku merrnin pjesë fëmijë të inkuadruar në organizatën e balilave. Pjesëmarrësit ishin autoritetet më të larta të vendit, duke filluar që nga mëkëmbësi Jakomoni e, deri te drejtuesi i Partisë Fashiste Shqiptare, Tefik Mborja e ministri i arsimit, Ernest Koliqi. Ceremoniali zyrtar parashikonte pasqyrimin ideal të imagjinarit fashist mbi shoqërinë e re shqiptare. Roje nderi të monumentit, janë dy fëmijë balila, më pas formacione të tjera paraushtarake dhe ushtarake, italianë e shqiptarë, si Rinia e Liktorit Shqiptar apo, Avanguardistët Fashistë, i jepnin tonin solemn e ushtarak ceremonisë.
Sipas të përditshmes “TOMORI”, njëherë që eshtrat ishin marrë e transferuar në Shqipëri, askush nuk ishte kujdesur më për to, duke nënkuptuar se operacioni i kthimit të tyre, nuk kishte marrë as vëmendjen e, as konsideratën e merituar nga regjimi zogist…! Si rrjedhojë, varri i Naimit, cilësohet si i vjetër e i papërshtatshëm për kohën. Zhbërja e ribërja e varrit, shënon kështu një thyerje mes dy kohëve e, dy regjimeve diametralisht të kundërta. Ky reflektim, do të jetë më pas dhe lajtmotivi i zhvarrimeve të vazhdueshme të trupit të Naimit, ku dinjiteti i prehjes, kërkon të minimizojë aktin e marrjes së trupit nga jashtë vendit dhe ta zhvendosë kështu vëmendjen, te përkujdesja intensive dhe konstante, si element që provon në mënyrë të vazhdueshme, se vetëm ai regjim që përkujton trupin, ruan dhe monopolin e përdorimit të tij. Artikulli i gazetës “TOMORI”, e lidhte ribërjen e varrit të Naimit, me mbarimin e vuajtjes së kombit, me ardhjen e regjimit fashist. Përpjekjet pararendëse, e gjithë historia politike shqiptare, që nga pavarësia e tutje, cilësohen si të kota e të mundimshme, e kështu rivarrimi i patriotit, shërben si mënyrë për të simbolizuar plotësimin dhe bërjen e Shqipërisë, me bashkimin me Italinë.