I dha të afërmit tenderin 322 mln lekë, SPAK kërkon 3 vite e 6 muaj burg për Lefter Allën

Prokuroria e Posaçme kërkon 3 vite e 6 muaj burg për ish-kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla.

Ai do të përfitojë nga gjykimi i shkurtuar dhe nëse GJKKO pranon kërkesën e SPAK, Alla do të vuajë 2 vite e 4 muaj burg dhe për 5 vite nuk do t’i lejohet që të ushtrojë asnjë funksion publik.

Lefter Alla, ra në pranga më 15 mars 2023 bashkë me 12 persona të tjerë, 7 prej tyre zyrtarë të bashkisë për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre mbi dyshimet e abuzimit në një tender me vlerë 3 milionë euro. Ai dyshohet në bashkëpunim me ish-zyrtarët e tjerë favorizoi dy kompani gjatë procedurës së prokurimit publik me qëllim që më pas punimet për ujësjellësin t’i kryejë kompania ‘OE 2AF Albania shpk’, e cila është në administrimin e të afërmit të Allës, Aqif Konesha. Kompanitë që dolën fituese të tenderit kishin ‘BOE Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’.

Pasi i shpallën fituese këto firma, punimet për uijësjellësin realizoheshin nga firma ‘OE 2AF Albania shpk’. Bëhet fjalë për tenderin “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë rreth 3 mln euro, me afat kohor 10 mujor. Kompanitë që dolën fituese të tenderit kanë si administrator Rasim Dacin, për ‘BOE Egland shpk’, ndërsa administratori i ‘BE-IS shpk’, është Kastriot Ibrahimaj. Gjatë dëshmisë së tij, Alla i konsideroi akuzat si sulme politike ndaj tij.

Vendimet e SPAK për të akuzuarit e tjerë:

-Enkeleda Lleshi është dënuar me 3 vite burg, me gjykim të shkurtuar 2 vite dhe dënim plotësues  5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik;

-Arsen Gjoka, Rubin Kola dhe Kujtim Zogu me nga 2 vite burg, me gjykim të shkurtuar 1 vit e 4 muaj dhe 5 vite mos të ushtrojë asnjë funksion publik;

-Leonard Daci dënohet me 2 vite burg, me gjykim të shkurtuar 1 vit e 4 muaj dhe 5 vite mos të ushtrojë asnjë funksion publik;

-Aqif Konesha dënohet me 2 vite e 3 muaj, me gjykim të shkurtuar 1 vit e 6 muaj dhe 3 vite të mos ushtrojë administratorin e personit juridik;

-Dali Gazidedja dënohet me 1 vit e 9 muaj burg, me gjykim të shkurtuar 1 vit e 2 muaj.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us