Imazhet nga Gaza që qarkulluan në mediat sociale të enjten treguan një ndalim masiv nga ushtria izraelite të burrave, të cilët u detyruan të zhvishesh dhe të jenë me të brendshme. Ata janë detyruar të gjunjëzohen në rrugë, të mbanin syze dhe të futeshin në pjesën e pasme të ngarkesës së një automjeti ushtarak.
Rrethanat dhe datat e sakta të ndalimeve janë të paqarta, por identitetet e disa të arrestuarve janë konfirmuar nga kolegë apo familjarë. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) dhe Hamasi kanë folur në lidhje me imazhet e pazakonta, që kanë qarkulluar edhe në media. Zëdhënësi i IDF, Jonathan Conricus tha për CNN se personat e fotografuar ishin anëtarë të Hamasit dhe anëtarë të dyshuar të Hamasit. Ai tha se ata ishin pa rroba, për t’u siguruar që nuk mbanin eksploziv.
Izzat al-Rishq, një anëtar i zyrës politike të Hamasit, akuzoi Izraelin në një deklaratë për “rrëmbim dhe zhveshje”, duke thënë se të rrëmbyerit ishin civilë, që ishin zhvendosur nga Gaza, për shkak të bombardimeve. Ai e quajti veprimin një krim të dënueshëm dhe u kërkoi organizatave të të drejtave të njeriut të ndërhyjnë. Të paktën disa nga burrat janë civilë, pa asnjë lidhje me grupet militante. Kështu kanë thënë për CNN disa të afërm të personave që shfaqen pa rroba e disa punëdhënës.
Monitoruesi Euro-Mesdhetar i të Drejtave të Njeriut postoi një imazh të një të arrestuari dhe tha në një deklaratë në faqen e saj të enjten se ushtria izraelite arrestoi dhe abuzoi rëndë dhjetëra civilë palestinezë. “Euro-Med Monitor mori raporte se forcat izraelite nisën fushata arrestimi të rastësishme dhe arbitrare kundër njerëzve të zhvendosur, duke përfshirë mjekë, akademikë, gazetarë dhe burra të moshuar”, thuhet në deklaratë.
CNN raporton se imazhet janë regjistruar në Beit Lahia, që ndodhet në veri të qytetit të Gazës. Mediat izraelite, pa treguar një burim, i kanë portretizuar pamjet si dorëzim të anëtarëve të Hamasit. Një gazetar e pyeti zëdhënësin e IDF-së, kundëradmiralit Daniel Hagari në lidhje me imazhet gjatë një konference për shtyp të enjten, duke thënë: “Ne kemi parë imazhe të shumë robërve, terroristë të Hamasit, që IDF i arrestoi”.
Hagari tha se po hetohet se kush ka lidhje me Hamasin dhe kush jo. “Ne hetojmë dhe kontrollojmë se kush ka lidhje me Hamasin dhe kush jo”, tha ai. “Ne i arrestojmë të gjithë dhe i marrim në pyetje. Ne do ta çmontojmë këtë organizatë deri në fund”, theksoi ai. Të premten, zëdhënësi i qeverisë izraelite Eylon Levy tha për CNN se burrat e paraqitur në imazhet e ndalimeve masive në Gaza ishin të gjithë terroristë të dyshuar. Levy tha se burrat po qëndronin në zonat që njihen si “fortesa të Hamasit”. Ai premtoi se personat që nuk dalin të kenë lidhje me organizatën militante, do të lirohen.
Në një intervistë me CNN të premten, Hani Almadhoun, drejtor i filantropisë për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRUA USA) tha se ai njihte një duzinë njerëzish të fotografuar në imazhet që qarkullonin. “Ata nuk janë as luftëtarë, ata nuk po dorëzohen, ata janë thjesht civilë që ishin atje me familjet e tyre, duke u përpjekur t’i mbijetonin kësaj lufte”, tha Almadhoun për Pamela Broun të CNN.
Almadhoun tha se burrat që ai njihte nga familja e tij ishin liruar që atëherë, por e përshkroi situatën si çuditëse. Ai shtoi se vëllai i tij nuk merret me asnjë veprimtari kriminale dhe nuk e kupton se çfarë do në mesin e atyre burrave. “Vëllai im ka nxirje e plagë dhe e kanë zhveshur në rrugë, e kanë lënë lakuriq në këtë dimër të ftohtë dhe e kanë fotografuar. Ka shumë trauma nga kjo që ka ndodhur, veçanërisht për nënën time, që nuk di ku ka djalin e saj”, tha ai. Sipas tij, Izraeli po hakmerret në forma të egra e të ulëta.
Të arrestuar dhe gazetarë
Në një deklaratë të enjten, gazeta Al-Araby Al-Jadeed tha se një nga korrespondentët e saj dhe disa anëtarë të familjes së tij ishin në mesin e të arrestuarve, në ato foto që qarkullojnë në rrjet. Gazeta raportoi se Diaa Al-Kahlout u arrestua nga trupat izraelite të armatosur dhe u detyrua të linte pas vajzën e tij me aftësi të kufizuara, përpara se ai të zhveshej dhe rrihej.
“Sot, të enjten, ushtria okupatore izraelite arrestoi gazetarin dhe drejtorin e zyrës “The New Arab” në Gaza, kolegun tonë Diaa Al-Kahlot, në Rrugën e Marketit në Beit Lahia, së bashku me një grup vëllezërish, të afërmsh dhe civilë të tjerë”, shkroi Al-Araby Al-Jadeed. Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa ushtria izraelite tashmë ka hyrë në Gaza.