Ish-këshilltarja e Lulzim Bashës, gjatë kohës që ky i fundit drejtonte Partinë Demokratike, Desada Metaj ka dalë hapur kundër futjes në politikë të vajzës së kryedemokratit Sali Berisha, Argita Malltezi. Pasi kjo e fundit deklaroi nga Kuvendi i Partisë Demokratike që u mbajt sot se do të rikthejë shpresën në vendin tonë, Metaj shkruan në një postim në Facebook se nuk ndihet e përfaqësuar nga Malltezi. Futjen e Malltezit në politikë dhe premtimet për ndryshim nga Berisha, Metaj i konsideron të shëmtuara. Ajo shton se ndryshimet kanë ardhur gjithmonë nga rinia e studentët.
Postimi:
Një nga shëmtitë e politikës shqiptare është përdorja që i bëhet familjarëve me akuza personale për fëmijët dhe bashkëshortët. Por më e shëmtuar qënka kur dëgjon fëmijët e politikanëve kur të shiten si përfaqësues të brezit. Ah jo, nuk na përfaqësoni ju që keni përfituar nga priviligjet e baballarëve. Ju bëni mirë të shijoni çkeni përfituar në heshtje. Përndryshe, kur dilni dhe u kërkoni 50-60 vjeçarëve të ndryshojnë Shqipërinë që fëmijët tuaj të jetojnë të lumtur, dukeni që keni dhe probleme në formim. Sepse nuk ka ndodhur kurrë në historinë e njerëzimit që ndryshimi të vijë nga të moshuarit. Ndryshimin e sjell rinia, studentët. Ndaj mblidhni mendjen dhe pajtohuni me fatin. Nuk jeni brezi i djegur, jeni fëmijët e baballarëve që mbajnë përgjegjësi për djegien e shpresës për ne… e fatkeqësisht me gjasë dhe për fëmijët tanë! #jenongrata
Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur Kuvendin e tij Kombëtar. Takimi po mbahet në Pallatin e Kongreseve. Berisha ka shkuar në Pallatin e Kongreseve i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha dhe e bija, Argita Malltezi. Ish-kryeministri do të kërkojë votëbesimin e demokratëve në Kuvendin Kombëtar, pas humbjes së zgjedhjeve lokale të 14 majit. Gazment Bardhi dhe 15 deputetët që e mbështesin atë munguan në takim. Berisha u shpreh se nuk do të dorëzohet dhe “Mosbindja civile” ishte betimi i tij para delegatëve. Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Berisha për herë të parë mori pjesë në Kuvendin Kombëtar dhe tha se vendi rrezikon që të bjerë në diktaturë dhe se duhet rikthyer shpresa.