Jozefina Topalli reagon e revoltuar: Sali Berisha po martirizohet për këtë vend, njëlloj si në Rusi! Kjo turpëron shoqërinë…

Ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ka reaguar ashpër teksa pritet që Kuvendi t’i heqë imunitetin ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i hapur rrugë SPAK-ut që ta arrestojë.

Në një shkrim në rrjetet sociale, Topalli e quan ditën e nesërme si një ditë të errët për shtetin dhe demokracinë. Ajo thotë se arrestimi i Sali Berishës do e lë vendin pa liderin e opozitës që guxonte të fliste dhe denonconte.

Topalli nuk ngurron ta krahasojë këtë situatë me Rusinë, duke shkruar se edhe aty Putini e ka arrestuar kryetarin e opozitës.

Shkrimi i plotë i Topallit:

Edhe Putini ka arrestuar kryetarin e opozitës!

Nesër do jetë një ditë e errët per shtetin dhe demokracinë e vendit.

Kërkesa për arrestimin e Kryetarit te opozitës së vendit, të ish Presidentit, ish- Kryeministrit Sali Berisha , pas 12 vitesh nga largimi i tij si ish kryeministër është gjëja më absurde dhe e rrezikshme për pluralizmin shqiptar.

Dhe kjo kjo turpëron një shoqëri..

Paradoksi është, se për Kryetarin e opozitës kanë shpikur prej 3 vitesh një dosje, që nuk ka as çështje as prova. Dhe për të vazhduar me paradoksin, procesi është nisur nga Taulant Balla, anëtar i qeverisë aktuale.

Dhe vetëm ky fakt do mjaftonte për të kuptuar se procesi është politik.

Por ky proces do turperojë shtetin tonë, edhe për faktin se disa hetues i kanë marrë pushtetin Parlamentit, dhe kjo është një këmbanë e fortë.

Ky proces ka filluar dhe po mbyllet me disa standarte.

(E kur në një proces lëvizet me disa standarte, procesi është politik.)

Një standart për pushtetarët si rasti Tahiri, kur Kuvendi i jep leje Spakut për heqjen e lirisë të lëvizjes dhe një tjetër për armikun Sali Berisha, kur hetuesia hyn në fushën e lojës politike, dhe brutalisht dhunon Kushtetutën si në vendet autokratike, pa lejen e Parlamentit.

Paradoksi dhe rrezikshmëria replikohet kur hetuesia kërkon nga Kuvendi të ligjërojë dhunimin e tij të Kushtetutës duke shtuar masat shtërnguese për Kryetarin e opozitës.

Kryetari i opozitës zoti Sali Berisha është njeriu që ka udhëhequr lëvizjen demokratike, që ka futur vendin në Këshillin e Europës, që ka firmosur stabilizim Asocimin, që ka futur vendin në Nato, që ka liberalizuar vizat, etj.

Gjatë këtyre 3 dekadave ka patur disa Kryeministra, e pushtetarë. Ndër të gjithë ata, zoti Berisha ka qenë dhe është njeriu më serioz në raport me ligjin dhe shtetin.

E këtë e thojnë edhe kundërshtarët e tij në biseda kur nuk janë në televizor.

Pushteti kërkon arrestimin e kryetarit të opozitës zotit Sali Berisha vetëm për një arsye:

Për t’i mbyllur gojën, që ai të mos ketë mundësi të ngrihet kundra skandaleve e korrupsionit të frikshëm; që ai të mos ketë mundësi të mbrojë të drejtat e liritë e qytetarëve; që ai të hesht për plakjen e shoqërisë sonë nga largimi i shqiptarëve; që ai të mos ngrihet më kundra bandave e organizatave kriminale që sundojnë kudo.

Unë nuk njoh një politikan në 30 vite, që të ketë patur kurajon si Sali Berisha për t’u ngritur kundër krimit e organizatave të frikshme kriminale.

Unë nuk njoh një tjetër që të ketë bërë beteja të pamundura si ai.

Sali Berisha nuk është i pa gabueshëm.

Por asnjë nuk ka luftuar për interesin publik si ai.

Të kërkosh të arrëstosh Kryetarin e opozitës sepse para 20 viteve ka bërë një ligj për ish pronarët është në kufijt e të pabesueshmes.

Ai fitoi zgjedhjet e 2005 me atë program.

Ky nuk është vetëm paradoksi që të lë pa fjalë, ky është precedenti i tmerrshëm i një rreziku potencial, që i vërvitet Shqiperisë në emër të anti korrupsionit, (me “zero prova”) në një kohë kur pushteti është kalbur nga skandalet e pandalshme me dëme të pa llogaritshme për vendin. (e vetëm gervishet nga “drejtesia e re”.)

Sali Berisha është politikani që ka mbrojtur më fort se kushdo çështjen kombëtare.

Sali Berisha është i vetmi politikan që i kërkohet heqja e imunitetit për herë të dytë.

I vetmi lider, që është rrëzuar me dhunë nga pushteti dhe ka ardhur në pushtet me votë.

Kryeministri Berisha, ky burrë shteti siç ka thënë një ambasador amerikan ka dhënë dorëheqjen si kryetar partie, kur ka humbur zgjedhjet. I vetmi politikan mbi të cilin janë hedhur bomba, grushte e plumba, e përsëri nuk është dorëzuar.

I vetmi kryetar partie që hyn në zgjedhje pa vulë e pa emër e merr mbi gjysëm milion vota personale.

Edhe pse është 80 vjeç është politikani më energjik, më i vendosur në misionin si kryetar opozite, sa turpëron çdo politikan e deputet të ri e të vjetër, sepse thotë të vërteta të forta që shumë i dijnë por askush nuk i thotë.

E për këtë ai do martirizohet.

Si shoqëri ne kemi nevojë të reflektojmë me vehten tonë.

Në 100 vitet e fundit janë pushkatuar dhe arrestuar shumica e Kryeministrave tonë.

Po ashtu, janë ekzekutuar, arrestuar apo internuar pothuaj të gjithë firmëtarët e Aktit të Pavarësisë.

Historia jonë është sa e dhimbshme po aq dhe e padrejtë.

Histori fatale!

E megjithatë kjo ndodhte kur ishte kohë lufte apo diktaturë.

Kjo e sotmja po ndodh në një vend të Natos.

Po, nëse kërkojnë sot arrestimin e kryetarit të opozitës për arsye politike-

Çfarë i mbetet kësaj demonracisë sonë të shkretë?

Kush do guxojë më të ngrihet për të drejtat e njeriut;

Kush do sakrifikonte më të bënte opozitë të fuqishme si ajo e Berishës;

Kush do kishte më kurajo të permendte me emër e mbiemër kriminelët e frikshëm.

Çfarë do i bëjnë pas kësaj një qytetari të thjeshtë nëse ne nuk reagojmë!

Ndoshta Kryetarit të Partisë Demokratike, zotit Sali Berisha nuk i vjen keq për vehten e tij që po martirizohet, por vendi jonë nuk ka nevojë për martirë.

Nesër jemi zyrtarisht një vend me kryetarin e opozites të arrestuar.

Njëlloj si në Rusi!

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us