Sot dhe të shtunën, vendi ynë do të jetë nën ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme, ndërsa moti parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura, të cilat përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe zonave bregdetare, do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme dhe afatshkurtra.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në relievet malore, në lindje, reshjet do të jenë të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatare në formën e shiut, por në lartësitë mbi 700 metër, reshjet do të jenë në formën e dëborës. Kjo situatë do të vijojë deri në shtunën pasdite.
Ndërsa përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe vijës bregdetare, gjatë të shtunës, reshjet do të jenë lokale dhe të dobëta. Por, duke filluar nga dita e diel dhe ditët e para të javës së ardhshme, presim një përmirësim të kushteve atmosferike në vendin tonë, për shkak të depërtimit të masave ajrore të thata dhe të ftohta me origjinë veriore. Moti gjatë të dielës dhe javës së ardhshme parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, me disa vranësira të pakta kalimtare.
Por, për shkak të këtyre masave ajrore të ftohta, presim një rënie të ndjeshme të temperaturave, si në vlerat minimale, edhe në ato maksimale.
Vlera minimale në vendet malore pritet të shkojë në -8 gradë Celsius, ndërsa në zonat e ulëta dhe bregdetare do të shkojnë në -2 dhe 0 gradë Celsius. Ndërsa temperaturat e mesditës, pritet të kapin vlerat 10 deri në 13 gradë Celsius. Të mërkurën e javës që vjen, mund të kemi një rritje të lehtë të temperaturave, duke arritur në 16 dhe 17 gradë Celsius.
Ndërkohë, gjatë të shtunës, era do të jetë intensive me shpejtësi mesatare 10 metër për sekondë, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore, era fiton shpejtësi tepër të lartë, duke arritur 20-24 metër për sekondë.