Këshilli i Mandateve mblidhet sot, 18 dhjetor, në orën 12:00 në Kryesinë e Kuvendit për të marrë në shqyrtim kërkesën e SPAK, që kërkon dhënien e autorizimit për arrestimin e ish kryeministrit Sali Berisha.
Vetë ky i fundit ende nuk e ka qartësuar nëse do të jetë para Lindita Nikollës dhe 4 socialistëve të tjerë, anëtarë të Këshillit të Mandateve për të bërë mbrojtjen e tij, apo nëse do të dërgojë një mbrojtës ligjor.
Në pikëpyetje, është edhe prezenca e anëtarëve të opozitës në Këshillin e Mandateve, pasi 4 nga 5 prej tyre, Gazment Bardhi, Greta Bardeli, Ervin Salianji dhe Saimir Korreshi janë pjesë e aksionit të nisur prej disa muajsh në parlament, e mund të jetë pikërisht ky argument, që mund të përdoret prej tyre për të mos marrë pjesë në mbledhje.
Paralel me këtë zhvillim, para kryesisë së Kuvendit, Rithemelimi ka thirrur protestë, të cilën Sali Berisha vetë refuzon ta quajë thirrje në mbrojtje të tij.