Presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje për një ndryshim të udhëheqjes në Iran të shtunën (17 janar), duke kërkuar fundin e sundimit 37-vjeçar të Ajatollah Ali Khamenei.
Është koha për të kërkuar një udhëheqje të re në Iran”, tha presidenti amerikan për “Politico”, ndërsa protestat masive që bënin thirrje për rrëzimin e regjimit dukeshin se ishin qetësuar.
Të martën, Trump u kishte bërë thirrje iranianëve të vazhdonin protestat e tyre dhe të “pushtonin institucionet”, duke thënë se “ndihma është në rrugë”. Megjithatë, ai ndryshoi papritur kursin të nesërmen, duke thënë se ishte informuar se vrasjet e protestuesve kishin ndaluar.
Komentet erdhën menjëherë pasi Ali Khamenei postoi një seri mesazhesh nxitëse në llogarinë e tij të platformës X, duke akuzuar presidentin amerikan si përgjegjës për dhunën dhe humbjen e jetëve në Iran.
Pasi u informua për postimet, Trump u përgjigj se udhëheqja e Teheranit mbështetet në shtypje dhe dhunë për të qëndruar në pushtet.
“Udhëheqja bazohet në respekt, jo në frikë dhe vdekje “, shtoi ai.
Së fundmi, Trump nisi gjithashtu një sulm personal ndaj udhëheqësit suprem të Iranit dhe sistemit të qeverisjes së vendit.
“Ky është një njeri i sëmurë që duhet ta drejtojë vendin e tij siç duhet dhe të ndalojë së vrari njerëz”, tha ai. “Vendi i tij është vendi më i keq për të jetuar në botë, për shkak të udhëheqjes së keqe”.





