Socialistët mbledhin të premten e 8 Dhjetorit Kongresin e Jashtëzakonshëm, i cili pritet të shpalosë programin për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, në të cilat të majtët do të tentojnë që të fitojnë mandatin e katërt qeverisës.
Kongresi nuk pritet të sjellë debate brenda kupolës drejtuese të PS-së, pasi pozitat e Edi Ramës janë komode në drejtimin e partisë, ndërsa gëzon mandatin e tretë si kryeministër.
Nga ana tjetër Kongresi vjen pak muaj pas ndryshimeve në qeveri dhe në sekretariaret e PS-së, e të paktën në këto dy drejtime nuk pritet ndonjë surprizë në 8 Dhjetor. Edhe vetë kryeministri Edi Rama, teksa foli të mërkurën, tha se në Kongres nuk do të ketë ndryshime në qeveri.
Socialistët janë dukshëm më të qetë me pozitat e tyre, edhe për shkak të përplasjeve të vazhueshme në kampin opozitar, që tashmë vijojnë prej më shumë se dy vitesh. Në këto kushte, nuk është klishe të thuhet se garën do ta kenë me veten, por edhe me drejtësinë, e cila ka prerë kokat e disa prej eksponentëve të lartë socialistë, me të cilët vetë Edi Rama ka larë duart.
“Ndizen motorët për zgjedhjet e 2025-ës”
Sekretari organizativ, Blendi Klosi, i cili pasoi në këtë post Damian Gjiknurin, emri i të cilit përmendet në dosjen e indeneratorëve, ka thënë për mediat se surpriza e Kongresit do të jetë ndezja e motorëve të socialistëve për zgjedhjet e 2025. Nga ana tjetër një tjetër risi në këtë Kongres do të jetë hapja e forumeve për të gjithë të djathtët që sipas Klosit nuk e gjejnë veten të përfaqësuar në Partinë Demokratike.
Simbolika e 8 Dhjetorit
Rastësi apo jo, edhe data e zgjedhur nga socialistët nuk shkakton më pak polemika, sesa vendimi i tyre për të hapur partinë për të djathtët. 8 Dhjetori shënon ditën e Rinisë, ditën e lëvizjes studentore, që përkujtohet çdo vit nga demokratët në Qytetin Studenti, e duket se Kongresi i socialistëve, duke marrë parasysh dhe vëmendjen mediatike, do të lërë disi në hije këtë datë të rëndësishme në kalendarin e historisë politike.
I pyetur për këtë vetë Berisha do të shprehej: “Një maskë mafioze nga Edi Rama ajo, PD do të vazhdojë traditën e 8 Dhjetorit për të rrëzuar diktaturën”.
Programi i Kongresit, kryefjalë Reforma në Drejtësi
Sa i takon programit të Kongresit, ai do të startojë punimet në orën 11 të paradites së të premtes, dhe do të jetë i ndarë në disa panele, për të evidentuar reformat më të rëndësishme që janë marrë nga socialistët në këto 10 vite pushtet, e ku kryereforma e cilësuar sipas tyre është ajo në drejtësi. Për këtë të fundit, jemi mësuar të shohim shpesh fjalime të gjata nga kryeministri Edi Rama, i cili në Asamblenë e fundit të socialistëve “po ankohej” se peshorja po anonte veç majtas. Por me akuzat e SPAK për Berishën dhe dhëndrin e tij, balanca duket të jetë arritur.
Rama flet në fund
Kryeministri Edi Rama pritet të marrë fjalën i fundit në punimet e Kongresit, pas diskutimeve që do të ketë në secilin prej paneleve, që socialistët do të kenë për disa sektorë jetikë, siç janë ekonomia, shëndetësia apo bujqësia. Në fjalën e Ramës, përveçse do të shpaloset vizioni për “Shqipërinë e 2030”-tës, padyshim pritet me interes teksa ai do të flasë për bashkëpunëtorët që hëngrën pas shpinës së tij, e tashmë do të përballen me drejtësinë e Rilindur.
Sa për debate e diskutime nuk pritet të ketë, e në këtë pikë socialistët nuk sjellin asgjë të re nga fronti…!
Axhenda