Kulla Garisenda, një ndërtesë mesjetare në qytetin italian të Bolognas, e cila anon sikundër edhe kulla e Pizas, është mbyllur për shkak të shqetësimeve se do të rrëzohej së shpejti. Autoritetet kanë filluar ndërtimin e një pengese 5 metra të lartë rreth Kullës Garisenda, e cila është e shekullit të 12-të.
Kulla 47 m (154 ft) anon me një pjerrësi katër gradë. Situata u cilësua si shumë kritike nga këshilli bashkiak. Kulla Garisenda është një nga dy rrokaqiejt që dominojnë qiellin e Bolonjës. Kulla Asinelli, e cila është pothuajse dyfish në lartësi gjithashtu anon, por jo aq dukshëm. Ajo është normalisht e disponueshme për turistët për t’u ngjitur.
Kullat u ndërtuan midis viteve 1109 dhe 1119, ndërsa lartësia e Garisendas u zvogëlua në shekullin e 14-të, për shkak të animit. Vepra e Dantes “Komedia hyjnore”, e cila u shkrua në vitin 1321, përmend kullën. Vendi u mbyll për herë të parë në tetor, kur sensorët zbuluan ndryshime në pjerrësinë e Garisendas dhe testet gjetën degradim në komponentët që përbëjnë bazën e ndërtesës.
Këshilli ka krijuar një plan të mbrojtjes civile për të mbrojtur kullën dhe puna që po zhvillohet tani përfaqëson fazën e parë të sigurimit të saj. Po ashtu, u tha se barriera do të mbronte strukturat dhe individët aty pranë në rast shembjeje. Më tej thuhet se rreth kullës do të ngrihen rrjeta metalike për rënien e gurëve.
Ndërtimi i barrierës do të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm, por kulla dhe sheshi nën të janë planifikuar të qëndrojnë të mbyllura për disa vite, ndërkohë që kryhen punimet restauruese. Këshilli i qytetit beson se vetëm barriera do të kushtonte 4.3 milion € (3.7 milion £) dhe ka nisur një fushatë financimi nga popullsia për të ndihmuar në pagesën e restaurimit. Projekti u përshkrua si një sfidë e jashtëzakonshme, që kërkon angazhim nga i gjithë qyteti dhe nga ata në mbarë botën që e duan Bolonjën dhe një nga simbolet e saj më të rëndësishme.