Kolegë e bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe pranë arkëmortit të regjisorit, skenaristit e producentit, Vladimir Prifti që u nda nga jeta të dielën në moshën 81 –vjeçare. Në takimin e mbramë me të atin, Keidi Prifti, kujton me fjalë të ndjera, babain dhe artistin.
“Ai kishte këto sy të vegjël që ishin si dy pika në një oqean fantazie, që ishte bota e tij. Kur unë isha i vogël, ishte koha që ai xhironte filmin “Udha e shkronjave”. Shumë artistë vinin ta takonin, sidomos Sandër Prosi që ishte në rolin kryesor të filmit. Pavarësisht se puna ishte shumë e vështirë në atë kohë, unë kërkoja ndihmë, kërkoja përkëdhelje dhe ai nuk më harronte kurrë. Kështu që më merrte hopa dhe më hidhte në ajër. Imazhi im i parë që kam me babain tim, është ky imazh i bukur dhe i lumtur, i faqes së tij dhe i buzëqeshjes së tij. Dhe ky imazh është i pikturuar në zemrën time”, tha Keidi Prifti.