Të hënën Komisioni i Ligjeve ka planifikuar të shqyrtojë iniciativën për ndryshimet në Ligjin për Komisionet Hetimore. Mbi këtë çështje ka reaguar deputetja demokrate Jorida Tabaku, që e quan këtë një avancim të njëanshëm që përbën cenim të të drejtës Kushtetuese të opozitës që të ushtrojë funksionet në parlament.
Në një email drejtuar Komisionit të Ligjeve Jorida Tabaku shprehet se mazhoranca nuk ka vullnet për të respektuar të drejtat e opozitës. Më poshtë email i plotë i dërguar nga Tabaku.
“Përshëndetje, Në dhjetorin e kaluar kam dorëzuar në emër të Grupit Parlamentar të PD një projektligj për ndryshimet në Ligjin për Komisionet Hetimore, në përputhje me nenin 81, pika 1, të Kushtetutës dhe nenin 68, pikat 1 dhe 2, të Rregullores së Kuvendit. Propozimi erdhi pas një pritje gjashtë mujore për ndryshimet ligjore në ligjin aktual ku të dy anët e politikës dakordësuam se ligji mund të përmirësohej në drejtim të rritjes së eficencës së kontrollit parlamentar, por fatkeqësisht mazhoranca nuk u bë e gjallë me ndonjë propozim konkret. Për rrjedhojë në 8 dhjetor 2022 depozitova në Kuvend propozimin në fjalë.
Në vijimësi të mbledhjeve të Konferencës së Kryetarëve duke nisur nga Janari i këtij viti dhe në vijim ngrita shqetësimin se propozimi im për Komisionet Hetimore duhet të niste diskutimet. Rregullorja e Kuvendit përcakton se pas regjistrimit në një regjistër të veçantë të projektligjeve, kryetarja e Kuvendit ua shpërndan deputetëve, medias dhe publikut, me kushtëzimin që shqyrtimi nuk mund të fillojë pa kaluar dy javë nga depozitimi, përjashtimisht kur vendoset shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar (shih nenin 69). Po ashtu, kryetarja e Kuvendit, në përputhje me programin e punës dhe kalendarin e punimeve, dërgon për shqyrtim projektligjet në komisionin përgjegjës dhe në komisionet për dhënie mendimi (shih nenin 70). Komisionet vijojnë me shqyrtimin e projektligjeve në përputhje me nenet 32 – 38 të Rregullores së Kuvendit.
Në shkurt, më në fund Konferenca e Kryetarëve diskutoi për ngritjen e një Komisioni AdHoc për ndryshimin e Ligjit të Komisioneve Hetimore, nga opozita u propozua përpos emrit tim dhe z. Bardhi, për t’u angazhuar në bisedimet dhe teknikalitetet e këtij komisioni. Këtu, përfundon dhe përpjekja e mazhorancës për të ngritur këtë komision pasi që pas kësaj dakordësie ne nuk kemi asnjë angazhim real nga mazhoranca për ngritjen e komisionit duke nisur që nga përfaqësuesit e mazhorancës në këtë komision; takimet me palën e opozitës për të vazhduar më tej me vendimet në seancë plenare për ngritjen dhe votimin e anëtarëve. Praktikisht ka pasur zero interes dhe angazhim nga mazhoranca për ta ngritur atë.
Deri më tani, në Kuvendin e Shqipërisë nuk ka ende një vendim për ngritjen e një komisioni të posaçëm, pra Ad-Hoc, dhe kush janë përfaqësuesit në këtë komision dhe cilët janë ato të mazhorancës.
Në mes të një krize të zgjatur politike; dhe në ndërkohë që opozitës i janë mohuar, padrejtësisht dhe pa asnjë argument ligjor apo procedurial, 8 komisione hetimore në harkun e 1 viti e gjysëm; tek pritej ngritja e një komisioni të posaçëm Ad-Hoc, siç edhe qe dakordësia në Konferencën e Kryetarëve, mazhoranca dorëzoi një propozimin të sajin që sipas praktikës parlamentare duhet t’i shtohet propozimit fillestar të grupit parlamentar të PD në diskutimet parlamentare, në formën e amendamenteve (shih nenin 71, pika 1 të Rregullores).
Me sa kuptoj maxhoranca ka vendosur të vazhdojë në mënyrë të njëanshme këtë propozim të sajin përderisa sot edhe pas dakordësisë në Konferencën e Kryetarëve dhe pas pohimit publik dhe angazhimit të marrë nuk ka ende një vendim për ngritjen e Komisionit Ad-Hoc dhe as emrat e përfaqësuesve të mazhorancës në të.
Ligji për Komisionet Hetimore është një ligj në funksion të mbikëqyrjes së Parlamentit dhe një ligj që krijon kushtet e bashkëjetesës në parlament dhe rregullimit të hapësirës së opozitës për të ushtruar një të drejtë kushtetuese ndërkohë që detyron mazhorancën për të siguruar që kjo e drejtë po ndodh konform rregullave (shih nenin 77, pika 2 të Kushtetutës; nenin 25, pika 1 të Rregullores). Avancimi i njëanshëm është përsëri një cënim i të drejtës kushtetuese të opozitës që të ushtrojë funksionet parlamentare përpos se gjithashtu është një dëshmi se sa pak seriozisht e marrin angazhimin e dhënë publikisht dhe jo vetëm kjo mazhorancë për komisionet AdH-oc. Avancimi i njëanshëm është përsëri cënim i të drejtës Kushtetuese të opozitës që të ushtrojë funksionet në parlament.”