Është mbyllur pas rreth një ore protesta e organizuar nga mbështetësit e PD-së në hyrje të Kryesisë së Kuvendit, ku po diskutohet në lidhje me autorizimin për autorizimin e SPAK për arrestimin e Sali Berishës. Protesta e radhës e demokratëve pritet të jetë përpara Kuvendit, dhe para Gykatës së Lartë në datën 27 Dhjetor. Në këtë ditë Gjykata do të duhet të shprehet për fatin e ‘vulës’ së Partisë Demokratike.
“Më 27 dhjetor, çdo demokrate dhe demokrat, përpara Gjykatës së Lartë, ku Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit tonë. Ne do qëndrojmë. Ne do fitojmë! E enjtja që vjen, të gjithë përpara parlamentit monist”, u shpreh mes të tjerave Berisha.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Më 27 dhjetor, çdo demokrat përpara Gjykatës së Lartë, ku Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit tone. Ç’po ndodh sot në parlament? Sot në parlament, në komision po votojnë ligjin, i cili ndalon hetimin e Edi Ramës. Jo, Edi Rama, i bindur të jesh ti se nuk ka ligj që do na pengojë ne pa hetuar vjedhjet tuaja, pa hetuar vjedhjet që i ke bërë shqiptarëve.
Çfarë ndodh? E thërrasin gazetarin, e rrëmbejnë, e fusin njëlloj si dikur në labirintet e sigurimit, e terrorizojnë, tregime si në romanet e Kafkës kam dëgjuar nga gazetarët e tjerë. Po pse? Se ai ka emrin e Edi Ramës në ato regjistrime, në ato lidhje me krimin që ai ka denoncuar, dalin dy emra, Taulant Balla dhe Edi Rama. Dhe ata kanë tmerr se do publikohen.
Ne do mbrojmë gazetarët. Ne u themi skapistëve, hiqni dorë mjeranë se ne kemi përmbysur policinë sekrete më të egër të botës dhe nuk u kemi për asgjë. Ju garantoj se do bëheni përgjegjës për çdo shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës dhe se do trajtoheni njëlloj si falanga krimi të kreut të Meduzës, të kryehajdutit të Shqipërisë, Edi Rama.
Me Edi Ramën kemi hesape të rënda për të larë. Edi Rama është sjellë ndaj nesh, ndaj jush njëlloj si nazistët në kampet e përqendrimit me hebrenjtë. Ata hebrenjve u hiqnin emrat dhe u jepnin nga një numër dhe ditë,javë, muaj atë thërriteshin me numra. Harronin emrat e tyre.
Por ne e garantojmë Edi Ramën se do e paguajë shumë shtrenjtë ata që ka bërë dhe përpiqet të bëjë me identitetin tonë. Më 27 dhjetor, çdo demokrate dhe demokrat, përpara Gjykatës së Lartë, ku Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit tonë.
Ne do qëndrojmë. Ne do fitojmë! E enjtja që vjen, të gjithë përpara parlamentit monist.
E mbyllim sot fitimtarë këtë takim historik, të betuar për të mos iu ndarë më gjer ditën e fitores. Unë ju ftoj ju ditën e enjte dhe çdo të enjte, përpara parlamentit, për pluralizmin, për demokracinë. Çdo qytetari shqiptar, që do sado pak këtë vend, i bëj thirrje të ndalet për një moment.
Çfarë duhet të pësojë më shumë Shqipëria, sesa të humbasë 35 përqind të djemve dhe vajzave në 10 vite? Çfarë duhet të pësojë më shumë Shqipëria sesa vota e shqiptarëve të numërohet nga bandat dhe të blihet nga Edi Rama? Çfarë duhet të pësojë më shumë Shqipëria sesa të rikthehen burgosjet dhe proceset politike?
Çfarë duhet të pësojë më shumë Shqipëria sesa gazetarët të rrëmbehen si njëlloj dikur Sigurimi i Shtetit, vetëm e vetëm për të mbrojtur faqen e zezë të Edi Ramës dhe Taulant Ballës? Çfarë prisni ju të pësojë më shumë Shqipëria sesa deputetëve të opozitës t’u mohohet çdo e drejtë në parlament?
Çfarë prisni të pësojë më shumë Shqipëria sesa të vidhet vetëm në një aferë 1 miliard euro dhe vjedhësit të amnistohen dhe as të mos guxojnë t’u përmendin emrin? Çfarë duhet të presim ne, të mbesim një vend në shfarosje, në zhdukje, një një kohë kur kemi pasuritë më përrallore.
Zgjohuni miqtë e mi sepse e keqja, sepse diktaturë nuk do asgjë tjetër, veçse heshtjen tuaj. Mos u mashtroni nga propaganda e tyre. Propaganda e tyre ka vetëm një qëllim. Konsolidimin e pushtetit të krimit në këtë vend. Një thirrje kam për të rinjtë e këtij vendi: merrni përsipër misionin historik. Urdhëroni ju si luftëtarë lirie, t’i dalim zot sot Shqipërisë.
Nuk është çështja e një individi, është çështja e çdo shqiptari.
Mos harroni se ky njeri që vret sa askush tjetër shpresën e shqiptarëve, por ata që nuk kanë ëndërr, nuk kanë të ardhme. Dhe ne nuk e meritojmë kurrë një gjë të tillë.
U bëj thirrje medieve, interesi publik duhet të jetë nordi, parimi themelor i juaji. Bëni gjithçka për t’u ngritur mbi censurën që ju imponojnë. Bëni gjithçka për të mbrojtur njëri-tjetrin sepse secili prej jush mund të jetë një Elton Qyno nesër. Sepse secili prej jush mund të jetë një gazetar apo gazetare që paketon valixhet dhe ikën. Ndaj dhe zgjohuni.
Do u rikujtoj këtu një moment. Më 20 shkurt të vitit 1991, mbi 100 mijë vetë po vinin nga Qyteti Studenti. Te dera e TVSH shtetëror të Ramiz Salisë kishin dalë dhjetëra punonjës të solidarizuar me protestuesit, të solidarizuar me luftëtarët e lirisë.
Edhe ju sot u takon misioni historik që të bëni gjithçka për të inkurajuar dhe mbështetur një lëvizje që do përmbysë në mënyrë të pashmangshme diktaturën. Pra, e mbyllim sot fitimtarë këtë takim historik, të betuar për të mos iu ndarë më gjer ditën e fitores.
Të betuar se do përdorim çdo mjet të mosbindjes civile ndaj këtij regjimi. Të betuar, çdo mjet të mosbindjes civile, nuk ka më, nuk ka forcë që na ndal më. Ne jemi dhe do mbetemi luftëtarë të lirisë gjer ditën e fitores së plotë. E largimit, e përmbysjes së këtij regjimi që po shfaros shqiptarët.