Mesazhi i parë i liderit të ri të Iranit: Do të hakmerremi për gjakun e derdhur!

Mes aludimeve dhe skenarëve rreth gjendjes së tij shëndetësore, udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, dha mesazhin e tij të parë publik pasi u zgjodh në krye të Republikës Islamike si pasues i babait të tij, Ali Khamenei.

Në mesazhin e lexuar në televizionin shtetëror nga një prezantues, ai premtoi hakmarrje për të gjithë gjakun iranian që është derdhur deri më sot”.

Khamenei theksoi gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur, ndërsa deklaroi se marrëdhëniet miqësore me shtetet fqinje do të ruhen, por sulmet ndaj bazave amerikane në rajon do të vazhdojnë.

“E përsëris edhe një herë se Republika Islamike e Iranit, pa kërkuar të vendosë sovranitet dhe kolonializëm në rajon, është plotësisht e përgatitur për unitet dhe marrëdhënie të ngrohta e të sinqerta reciproke me të gjithë fqinjët e saj”, tha ai.

Ai shtoi se vendet e rajonit duhet të mbajnë përgjegjësi për praninë e bazave të huaja ushtarake në territorin e tyre.

“Vendet e rajonit duhet të marrin përgjegjësinë për sulmuesit e atdheut tonë dhe vrasësit e popullit tonë. I këshilloj të mbyllin këto baza sa më shpejt të jetë e mundur, sepse pretendimi i Amerikës për vendosjen e sigurisë dhe paqes ka qenë vetëm një gënjeshtër”, deklaroi Khamenei.

Sipas tij, disa baza ushtarake në vendet fqinje janë përdorur në sulmet e fundit kundër Iranit. Ai theksoi se Irani i ka goditur vetëm këto baza, pa synuar drejtpërdrejt vendet ku ato ndodhen.

Lajme të tjera |  “Nuk shiten malet, është mundësi për pronarët dhe emigrantët”, Rama: Paketa e Maleve, nuk anulohet!

Khamenei foli gjithashtu për hakmarrjen ndaj atyre që ai i quajti “dëshmorë të kombit”.

“Deri tani është arritur vetëm një hakmarrje e kufizuar për gjakun e dëshmorëve. Përparësia jonë është të hakmerremi për të gjithë. Krimi i kryer nga armiku ndaj shkollës së vajzave Shajarah Tayyiba në Minab dhe raste të tjera të ngjashme zë një vend të veçantë në këtë përpjekje”, tha ai.

Ai shtoi se hakmarrja nuk lidhet vetëm me vrasjen e udhëheqësit të mëparshëm suprem.

“Çdo anëtar i kombit iranian që është martirizuar nga armiku është një rast i veçantë në dosjen tonë të hakmarrjes”,theksoi Khamenei.

Duke folur për zgjedhjen e tij në krye të vendit nga Asambleja e Ekspertëve e Iranit, ai tha se për rezultatin e votimit mësoi në të njëjtën kohë me publikun, përmes televizionit shtetëror iranian.

“Është e vështirë për mua të qëndroj në vendin e dy udhëheqësve të mëdhenj, Ruhollah Khomeini dhe martirit Khamenei”, u shpreh ai, duke shtuar se kishte vizituar trupin e babait të tij pas vdekjes.

Në mesazhin e tij, ai falënderoi gjithashtu popullin iranian për mbështetjen dhe qëndrueshmërinë.

“Mençuria dhe guximi i kombit të madh iranian i bëri miqtë të admirojnë dhe armiqtë të hutohen. Ju ishit ata që udhëhoqët vendin dhe garantuat autoritetin e tij”, tha ai.

Khamenei dërgoi gjithashtu mesazhe mbështetjeje për grupet që konsiderohen pjesë e “frontit të rezistencës”, duke përmendur Hezbollah në Liban dhe Lëvizja Huthi në Jemen.

“Pa dyshim, solidariteti i komponentëve të frontit të rezistencës do ta shkurtojë rrugën drejt çlirimit nga regjimi sionist”, deklaroi ai.

Në fund të mesazhit të tij, udhëheqësi i ri suprem i Iranit theksoi se lufta do të vazhdojë deri në arritjen e objektivave të vendit.

“Ne do të luftojmë derisa të arrijmë qëllimet tona”, tha ai, duke shtuar se qeveria iraniane do të kërkojë gjithashtu kompensim për dëmet e shkaktuara nga armiqtë.

“Ne do të kërkojmë kompensim nga armiku dhe, nëse ai refuzon, do të marrim aq pronë të tij sa e konsiderojmë të nevojshme. Nëse kjo nuk është e mundur, do të shkatërrojmë një sasi të barabartë të pronës së tij”, përfundoi Khamenei.

Lajme të ngjashme

Lajmet e fundit

Contact Us