Rikthimi në Champions bën që Milani të përgatitet mirë për sezonin e ri. Pas shkëputjes me 10 pikë nga Interi kryesues, klubi kuqezi po reflekton për të ardhmen. Igli Tare ka nisur punën për forcimin e sulmit, duke parë që Niclas Fullkrug nuk jep garanci dhe për gjermanin duhet marrë një vendim.
Ai erdhi në janar për t’i dhënë më shumë peshë sulmit të Milanit, ka treguar dëshirë të madhe në fushë, duke entuziasmuar ekipin dhe tifozët, por kjo mund të mos mjaftojë për blerjen e tij në fund të sezonit. Tare po vlerëson me shumë kujdes lëvizjet në merkato dhe tani duhet të kuptojë, nëse ia vlen të investohen 5 milionë euro për Fullkrug, apo jo.
Objektivi është që të bëhet një goditje e rëndësishme për sulmin në verë, me Kean dhe Vlahoviç në listën e drejtorit sportiv Tare. Shumë gjëra në fakt, varen nga kualifikimi ose jo në Champions sezonin e ri. Një detaj vendimtar për të bërë një merkato të mirë. Mund të ketë edhe shitje, me Nkunku gjithmonë në dyshim, pavarësisht dëshirës së tij për të qëndruar kuqezi. Leao mund të shitej vetëm në rast të një oferte shumë të mirë financiare.





