Motra e Saimir Sulës, i cili vdiq në Spanjë 2 vite më parë, ku kishte shkuar për Covid dhe doli i vdekur e pa zemër, ka bërë thirrje për verifikimin e ADN-së së organit jetësor në laboratorin e mjekësisë ligjore. Ajo shprehet se familja ka thënë edhe më parë se zemra e sjellë nga Spanja nuk i përket vëllait të saj. Motra e Saimir Sulës theksoi se pakoja me zemrën që pretendohet se është e Sulës, nuk ka ardhur me provë gjenetike.
“Unë nuk e kuptoj pse Saimiri është në varr pa zemër dhe zemra e tij është në laborator në Mjekësinë Ligjore. Familja në këto protesta që kemi bërë ka denoncuar gjithmonë dyshimin se ajo zemër nuk është e tij, se ajo pako ku pretendohet se ka një zemër brenda, kishte vetëm emër e mbiemër dhe nuk vjen me një provë AND-je, me një provë gjenetike, që e demonstron që zemra i përket Saimir Sulës. Ju kujtoj zoti ministër Ulsi Manja se në letër-porosinë e dytë që u nis për në Spanjë ne kërkuam në 14 pika investigimi, që zemra të sillej në Shqipëri dhe të bëhej AND-ja për të parë nëse kjo zemër i përkiste Saimirit apo jo. Pas luftës që kemi bërë në 3 vite, zemra u soll në qershor 2023. Nga qershori në dhjetor, çdo mëngjes zoti ministër pyesnim nëse kishte mundësi për ne për të parë nëse AND-ja ishte pozitive apo negative. Por kaluan 6 muaj duke pritur një ADN, që shteti shqiptar po e zvarrit.
Unë mendoj se kjo përgjegjësi e letërporosisë që është nisur në Europë për një provë ADN-je është e juaja z ministër. Pyetja që bëjmë ne si familje është se çfarë fitoni ju duke e zvarritur këtë çështje. Në Ministrinë e Drejtësisë ka një drejtori që merret me marrëdhëniet juridiksionale me jashtë dhe tek kjo drejtori fillon përgjegjësia për të nisur këtë letër-porosi për AND-në. Pra ne si familje, me avokatin tonë i kemi kërkuar Prokurorisë të dërgojë një kampion në Bruksel, Madrid ose në Vjenë, të zgjidhet një nga laboratorët që bën AND-në në Europë, duke qenë se Shqipëria nuk ka kushte dhe me pagesën e familjes, të bëhet AND-ja. Por kërkesat tona nuk kanë përgjigje zoti ministër. Unë zoti Manja nuk mendoj se për të bërë një ADN, do të duhen 6 muaj. Dua të them se ky organi i zemrës, që mbahet në Mjekësinë Ligjore shqiptare është prova e vrasjes së Saimir Sulës. Zemra është një libër i hapur që flet, flet dhe tregon dhunën apo traumën që kishte Saimir Sula, sepse nuk vdiq nga asgjëja. Duke qenë se kjo është prova e vrasjes, kjo provë ndihmon që të zbulohet e vërteta në vrasjen e Saimit Sulës. Duke qenë se ju z ministër dhe institucionet tona po ndihmojnë në zvarritje, po ashtu po ndihmojnë që prova e vrasjes po dekompozohet. Pse nuk bëhet ADN-ja, kur zemrën e keni ju sot në Shqipëri? Familja ime ngre pyetjen se pse nuk bëhet AND-ja?”, tha motra e Saimir Sulës.
Familja e Saimir Sulës, që ndërroi jetë në Spanjë është tronditur nga fakti se pas ekspertizës së bërë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka rezultuar se të afërmit të tyre i mungonte zemra. Në lidhje me këtë, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për veprën penale të “Shit-blerjes së paligjshme të organeve njerëzore”. Hetimet kanë nisur pas dyshimeve të familjarëve, që kanë vërejtur se në trupin e pajetë të djalit të tyre kishte një të çarë tek pjesa e zemrës.
Dyshimet janë shtuar edhe më tepër, kur familjarët kanë vënë re se në kartelën mjekësore të hapur nga autoritetet spanjolle nuk ishte specifikuar në asnjë rresht se të riut i mungonte zemra. Pasi trupi ka arritur në Tiranë, familja ka kërkuar ekzaminim mjeko-ligjor të trupit, teksa u konfirmuan dyshimet e familjarëve se viktimës i mungonte zemra. Rasti është referuar në Prokurorinë e Tiranës në vitin 2020. Të afërmit kanë dyshime se gjatë mjekimit në Barcelonë, 31-vjeçarit iu mor zemra në rrethana dhe për arsye që nuk janë të qarta