Benjamin Netanyahu përsëriti angazhimin e tij për lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Rripin e Gazës. Në fjalën e tij, kryeministri i Izraelit shtoi se operacionet ushtarake do të vazhdojnë edhe pas përfundimit të armëpushimit, me qëllim neutralizimin e plotë të Hamasit.
“Deri më tani kemi liruar 74 pengje, nga të cilët 50 janë fëmijë dhe gra. Ne jemi të detyruar ta përfundojmë këtë plan dhe të lirojmë të gjithë pengjet- së pari gratë dhe fëmijët, dhe më vonë të gjithë pa përjashtim. Pasi të përfundojmë qëllimet që kemi vendosur me lirimin e të gjithë pengjeve do të eliminojmë organizatën terroriste Hamas. Gaza nuk do të kthehet kurrë në atë që ishte dhe nuk do të jetë më një kërcënim për vendin tonë,”-tha Netanyahu.