Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar së fundmi se pavarësisht çmimit të rëndë të luftës do të vazhdojnë dhe mënyrën se si do të vazhdojnë do ta vendosin vet dhe jo presioni ndërkombëtar.
Në fjalimin e tij në mbledhjen javore të qeverisë që u mbajt në Tel Aviv, Netanyahu pas vrasjes së 14 ushtarëve izraelitë gjatë fundjavës në Gaza deklaroi se “Lufta na bën të paguajmë një çmim shumë të rëndë, por nuk kemi alternativë tjetër përveçse të vazhdojmë”.
Duke komentuar vdekjen e fundit të trupave izraelite, Netanyahu tha se ushtria e tij do të vazhdojnë me “forcën e plotë deri në fund”, duke përsëritur qëllimet e tij për të eliminuar Hamasin dhe për të siguruar kthimin e sigurt të pengjeve të mbajtur në Gaza.
Operacioni izraelit filloi pasi luftëtarët e Hamasit kaluan nga Gaza në Izraelin jugor më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë rreth 240 pengje. Izraeli këmbëngul që të ndërmarrë hapa për të shmangur viktimat civile dhe fajëson Hamasin për përfshirjen e tij në zonat me popullsi të dendur. Ndërkohë, ministria e shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, thotë se 166 persona të tjerë u vranë ditën e fundit. Më shumë se 20,000 njerëz janë vrarë – kryesisht gra dhe fëmijë, dhe 54,000 të plagosur në Gaza që nga 7 tetori.