Në prag të 111-vjetorit të Pavarësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me stafin pedagogjik të gjimnazit “Dertliu”, ka sjellë ekspozitën “Nga nëntorët vijmë, në nëntorë shkojmë”.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Drejtori i Inspektimeve dhe i Trajnimeve në DPA, dr. Endrit Musaj, drejtoresha e gjimnazit, Merita Dertliu, historianja Fatmiroshe Xhemalaj, si edhe mësues të atashuar pranë këtij institucioni arsimor.
Në fjalën e tij përshëndetëse, dr. Musaj foli për rëndësinë e shfrytëzimit të dokumenteve arkivore nga nxënësit, me qëllim mësimin e të shkuarës së lavdishme të vendit.
Në ekspozitën e përgatitur nga DPA-ja dhe Agjencia Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), shpalosen të dhëna me rëndësi lidhur me angazhimin dhe veprimtarinë e figurave që patën rol qendror në kurorëzimin e përpjekjeve për lirinë e Shqipërisë.
Krahas ekspozitës, një grup nxënësish kishin përgatitur këngë, vizatime, piktura dhe kumtesa mbi jetëshkrimin e secilit prej 40 firmëtarëve të Pavarësisë. Në përfundim të aktivitetit, u shpërndanë certifikata pjesëmarrjeje.
Promovimi i pasurisë dokumentare të kombit është një nga pikërendesat në veprimtarinë e DPA-së, e cila qendron në bashkëpunim të vijueshëm me institucionet arsimore nga mbarë vendi për organizime me karakter didaktik.
(Marrë nga ATSH)