Arben Lleshi është vrarë brenda qelisë së tij këtë të premte në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin. Ai është thirrur tre herë nga autori i ngjarjes Sokol Mjacaj, i cili qëndronte në ambientet e ajrimit, sapo Lleshi ka dalë në dritare është qëlluar duke marrë katër plumba në trup, më fatali prej të cilëve në qafë.
Detajet në lidhje me ngjarjen e rëndë i ka dhënë vetë Sokol Mjacaj, i cili në këto momente po merret në pyetje nga prokurorët në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Elbasanit. Pas ngjarjes Sokol Mjacaj ka hyrë në ambientet ku kryen takimet e të burgosurve me familjarët dhe ka marrë peng personat që ndodheshin aty.
Në fillim ai i ka bërë rezistencë efektivëve të burgut, por pas mbërritjes së RENEA-s është dorëzuar. Deri më tani shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Arma e krimit është futur në ambientet e burgut me dron.
Mjacaj do të izolohej në regjimin e posaçëm “41 Biss”, por me sa duket kishte dhe një mission për të kryer. Vrasësi Sokol Mjacaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çek në vitin 2015. Në tentativë për të iu grabtitur makinën Sokol Mjacaj i ekzekutoi të dy. Ngjarje e ndodhur në fshatin Lotaj të Dukagjinit.