Në një intervistë për mediat azere, sulmuesi anësor i Partizanit, Vusal Isgandarli, u shpreh se për të kishte mbërritur jo një ofertë, por tre të tilla nga klubet e vendlindjes së tij në Azerbajxhan.
Në këtë intervistë, Isgandarli shprehet se mund të ishte larguar nga Partizani, por sipas tij klubi pretendon më shumë se çduhet duke bllokuar në këtë formë transferimin e tij.
“Afati i transferimeve është ende i hapur. Kam pasur oferta nga tre klube azerbajxhanase. Ata po prisnin përgjigjen time përpara se të dërgonin një ofertë zyrtare. Domethënë, nëse do të kisha thënë “po”, ata do t’i kishin dërguar një kërkesë zyrtare klubit tim. Kishte gjithashtu oferta nga Kazakistani dhe Turqia.
Shuma që kërkoi klubi im aktual ishte thjesht e pabesueshme (qesh). Dëshira ime personale tani është të qëndroj te Partizani. Por nëse plotësohen kushtet e klubit, nëse dikush ofron shumën që dëshiron ai, atëherë ndoshta diçka do të ndryshojë.
Megjithatë, burime pranë klubit bëjnë të ditur se nuk ka pasur asnjë ofertë për lojtarin 30-vjeçar, duke hedhur kështu poshtë zërat se kanë pretendime të larta për shërbimet e Isgandarli. Në këtë sezon me Partizanin, Isgandarli është aktivizuar në 20 ndeshje të Kategorisë Superiore duke realizuar tre gola e duke dhuruar dy asistë. Ndërkohë, Isgndarli është aktivizuar edhe në një ndeshje të Kupës së Shqipërisë dhe një në kualifikueset e Ligës së Konferencës. Sulmuesi azer iu bashkua klubit të Partizanit në janarin e vitit 2025 nga klubi turk i Boluspor.





